Hën. Sht 24th, 2018

Sfida Shqipëri-Izrael, masa për mbarëvajtjen e ndeshjes

TIRANË, 6 Shtator/ATSH-A.Fortuzi/- Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, si dhe zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael, që do të luhet të premten në orën 20:45, në Stadiumin “Elbasan Arena”.

Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e plotë të sigurisë së ndeshjes së futbollit, do të angazhojë gjatë rreth 670 forca policore, sipas sektorëve për sigurimin e rrugëkalimit nga Tirana në Stadiumin “Elbasan Arena”, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në qytetin e Elbasanit, në pikat e kontrollit dhe të hyrjes së tifozëve, sigurinë e perimetrit të jashtëm të stadiumit, por edhe forca të gatshme për ndërhyrje, nëse do të lindë e nevojshme. Në këto shërbime janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia anti eksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale, Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara, por jemi në bashkëpunim edhe me agjencitë ligj zbatuese.

Strukturat e Policisë së Shtetit po monitorojnë rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit etj.

Nga ana jonë është bërë rikonicioni nga toka dhe ajri i stadiumit, i ambienteve përreth dhe i rrugëve të afrimit në stadium dhe, mbi këtë bazë, janë përcaktuar shërbimet për monitorimin e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë, si dhe për shoqërimin në distancë apo në afërsi, të grupeve të tifozëve, që do të vijnë nga drejtime të ndryshme për në stadium.

Për kontrollin e tifozëve, biletave, sendeve të forta, si dhe orientimin e mbështetësve të ekipeve, janë përcaktuar 7 pika hyrëse pranë stadiumit, të cilat do menaxhohen nga shërbimet e policisë dhe Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, me qëllim identifikimin nominal të tifozëve, që do hyjnë në stadium, por edhe në rast prishjeje të rendit apo krijimit të konfuzionit nga sportdashës të ndryshëm. Brenda impiantit do të angazhohet një personel prej 150 personash.

Rikujtojmë qytetarët se kapaciteti akomodues i stadiumit “Elbasan Arena” është 12.747 persona, me 15 porta hyrjeje. Parashikojmë që në çdo 1 orë, në secilën prej portave hyrëse, të hyjnë rreth 720 persona.

Ndërkohë bëjmë me dije qytetarët, se janë parashikuar masa rigoroze për ndalimin e hyrjes dhe përdorimit në stadium të: Parrullave, pankartave apo provokimeve, që synojnë nxitjen e urrejtjes dhe të dhunës. Fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve të tjera piroteknike, i sendeve të forta apo metalike, si çelësa apo monedha, të cilat janë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Mbajtja e maskave, shisheve, tregtimi i pijeve alkoolike apo mbajtja e armëve etj.

Gjithashtu do të jetë funksional sistemi i lajmërimit të publikut, i aftë të dëgjohet edhe mbi zhurmën e turmës, brenda dhe jashtë mjedisit sportiv.

Element i rëndësishëm i sigurisë, janë biletat e personalizuara me emrin e çdo personi që kërkon të hyjë në stadium, ndaj është e detyrueshme që çdo qytetar i cili kërkon të hyjë në stadium, krahas biletës, të ketë me vete edhe dokument identifikimi: letërnjoftim ose pasaportë.

Gjithashtu është e nevojshme që sportdashësit të paraqiten në stadium 3 orë para fillimit të ndeshjes, për të akomoduar në tribunat sipas biletave që kanë blerë, për të lehtësuar punën e Policisë së Shtetit dhe të “stjuartëve”, për kontrollin dhe hyrjen në kohë në stadium. Ndaj kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve dhe i ftojmë ata, që të mos e lënë për në minutat e fundit hyrjen në stadium.
Njoftojmë se lokalet në afërsi të stadiumit, prej orës 14.00 të datës 07.09.2018, do të mbyllen.

Policia Rrugore do të mbikëqyrë trafikun rrugor në akset drejt dhe në qytetin e Elbasanit, aksin nga Tirana, si dhe shoqërimin e personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe të Izraelit. Kontrolle në këto akse rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool.

Do bëhet bllokimi i disa segmenteve rrugore, të cilat janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ndërsa në sheshin para stadiumit, do të lejohen të parkohen vetëm automjetet e pajisura me autorizimin përkatës nga Federata Shqiptare e Futbollit. /j.p/

Kategori