SHBA akuzon Kinën për testime bërthamore sekrete

SHBA: Kina kryen testime të fshehta të armëve bërthamore

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se po kryen testime bërthamore me shpërthim në fshehtësi, pavarësisht moratoriumit zyrtar të Pekinit për këtë lloj provash.

Akuzat u bënë publike nga Thomas DiNanno, nënsekretar amerikan i Shtetit për kontrollin e armëve, gjatë një konference për çarmatimin në Gjenevë. Ai deklaroi se Kina ka përdorur metoda për të maskuar shenjat e shpërthimeve, me qëllim shmangien e zbulimit nga mekanizmat e monitorimit ndërkombëtar.

Sipas DiNanno, të paktën një test i tillë dyshohet se është kryer më 22 qershor 2020.

Kina është nënshkruese e Traktatit për Ndalimin e Plotë të Testeve Bërthamore, por ende nuk e ka ratifikuar atë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, autoritetet kineze i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe si pjesë e një narrativë të shtrembëruar nga Uashingtoni.

Raportimet shtojnë se Pekini po zgjeron kapacitetet e tij bërthamore, përmes ndërtimit të silove të reja për raketa dhe zhvillimit të teknologjive të avancuara ushtarake.

Scroll to Top