SHBA-ja pritet të prezantojë një koalicion për shoqërim anijesh në Ngushticën e Hormuzit
Shtetet e Bashkuara janë pranë prezantimit të një koalicioni për t’u dhënë shoqërim anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo nismë vjen ndërsa Irani ka paralajmëruar se nuk do të dorëzohet.
Sipas raportimeve të mediave Wall Street Journal dhe Axios, administrata Trump planifikon të njoftojë shumë shpejt formimin e këtij koalicioni, ku shumë shtete janë shprehur dakord për t’iu bashkuar. Wall Street Journal, më 15 mars, duke cituar burime amerikane pa emra, ka raportuar se ky plan pritet të bëhet publik duke filluar nga kjo javë.
Vendimi për nisjen e misionit dhe datën e fillimit janë duke u diskutuar, pasi situata e luftës mund të ndikojë në këto vendime. Diskutimet mes pjesëmarrësve përqendrohen nëse ky mision do të nisë gjatë vazhdimit të luftimeve apo vetëm pas një armëpushimi.
Axios, duke u bazuar në burimet e veta, ka raportuar më vonë se presidenti amerikan Donald Trump shpreson ta bëjë të ditur këtë koalicion në javën në vazhdim. Gjithashtu, po shqyrtohet mundësia e marrjes së Ishullit strategjik të Hargut, të cilin forcat ushtarake amerikane e bombarduan më 13 mars, në rast se trafiku detar në ngushticë vazhdon të mbetet i bllokuar.
Presidenti Trump, në një postim në rrjetet sociale, ka theksuar se “shtetet e botës që pranojnë naftën përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë zonë, dhe ne do të ndihmojmë SHUMË”.
Në një intervistë të publikuar më 16 mars nga Financial Times, Trump ka deklaruar se forcat e NATO-s përballen me një “të ardhme shumë të keqe” nëse një vend anëtar nuk i ndihmon Shtetet e Bashkuara në Iran.
Më 15 mars, kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar bisedime me Trumpin lidhur me rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit për të mos penguar furnizimet globale, sipas Zyrës së kryeministrit britanik. Starmer ka diskutuar të njëjtin çështje edhe me kryeministrin kanadez Mark Carney, ku janë diskutuar ndikimet e bllokadës në ngushticë mbi furnizimet globale. Ata janë zotuar të vazhdojnë diskutimet më 16 mars.
Wall Street Journal ka raportuar gjithashtu se kompani amerikane të naftës kanë paralajmëruar administratën amerikane për përkeqësimin e krizës së energjisë, të shkaktuar nga lufta në Iran. Sipas gazetës, pas takimeve të zyrtarëve amerikanë me drejtuesit e kompanive më të mëdha të naftës në SHBA, pengesat në ngushticë “do të vazhdojnë të krijojnë armiqësi në tregjet globale të energjisë”.
Më tej, sipas gazetës, nëse forcat ushtarake do të fillojnë shoqërimin e anijeve nëpër Hormuz ndërkohë që armiqësitë janë në zhvillim e sipër, kjo do të shënojë një fazë të re dhe të rrezikshme në luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Teherani ka nisur sulme drejt aleatëve arabë të SHBA-së në rajon dhe mund t’i shënjestrojë anijet e huaja në ngushticë, megjithëse Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë deklaruar se marina e Iranit është shkatërruar gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.
Pavarësisht goditjeve ajrore nga këto dy shtete, Irani vazhdon të nisë sulme me dronë dhe raketa kundër Izraelit dhe aleatëve arabë të SHBA-së në rajon.
Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araqchi, ka hedhur poshtë pretendimin e Trumpit se Teherani po kërkon të negociojë me Uashingtonin. Trump ka deklaruar se nuk është gati për bisedime sepse “kushtet e Teheranit nuk janë mjaftueshëm të mira”.
Ndërkohë, Iraku vazhdon të përjetojë pasojat e luftës në shtetin fqinj. Autoritetet irakiane raportojnë sulme të shumta, të drejtuara kundër grupeve të afërta me Iranin ose bazave amerikane. Më 15 mars, pesë persona u plagosën në një sulm me raketë në kompleksin e aeroportit të Bagdadit, ku ndodhet edhe një objekt diplomatik amerikan. Në aeroportin e Bagdadit gjenden gjithashtu një kompleks i madh ushtarak, një qendër burgu ku mbahen të dyshuar për terrorizëm, si dhe një qendër diplomatike dhe logjistike e SHBA-së.
Që nga fillimi i luftës, Iraku ka mbyllur hapësirën e vet ajrore në të gjithë shtetin. Iraku konsiderohet aleat i SHBA-së, por ka edhe një popullsi të madhe shiite dhe milici e forca politike të lidhura me Iranin. Milicitë e lidhura me Iranin kanë deklaruar se kryejnë sulme ditore me dronë dhe raketa kundër bazave amerikane.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin, ka deklaruar se Izraeli ka ende mijëra shënjestra për t’i goditur brenda Iranit. “Ne ende kemi mijëra shënjestra brenda Iranit dhe jemi duke identifikuar shënjestra të reja çdo ditë,” ka thënë ai. Izraeli po vazhdon sulmet ndaj qendrave ku besohet se strehohen pjesëtarë të Hezbollahut në Liban. Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera. Ushtria izraelite njoftoi më 15 mars se po godiste infrastrukturën e Hezbollahut në jug të Bejrutit, pas bastisjeve të mëparshme pranë kufirit. /REL
