SHBA i kërkon Japonisë të ndalojë importet energjetike nga Rusia

Pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se India do të ndalojë blerjen e naftës ruse, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Besent, ka kërkuar nga Japonia që të ndalojë gjithashtu importet e energjisë nga Rusia.

Sekretari Besent, përmes një deklarate në platformën X, bëri të ditur se kishte zhvilluar bisedime me ministrin japonez të Financave, Katsunobu Kato, dhe i shprehu pritshmërinë që Japonia të ndërpresë importet energjetike nga Rusia.

Japonia është e varur nga importet e naftës dhe gazit për shkak të mungesës së burimeve natyrore. Në vitin 2023, Japonia shpenzoi rreth 3.3 miliardë euro për të importuar gaz natyror të lëngshëm nga Rusia, duke shënuar një rritje prej 56% krahasuar me vitin 2021. Rusia përbënte 8.9% të importeve të përgjithshme të gazit natyror të lëngshëm, duke u renditur si furnizuesi i tretë më i madh pas Australisë dhe Malajzisë.

Ministri japonez Kato, kur u pyet nga gazetarët në Uashington, refuzoi të komentojë deklaratat e homologut të tij amerikan. Ai u shpreh se Japonia do të vazhdojë të punojë për një paqe të drejtë në Ukrainë, në bashkëpunim me vendet e G7-ës.

Ndërkohë, Donald Trump përsëriti se kryeministri indian Modi i kishte premtuar ndalimin e blerjes së naftës nga Rusia, por qeveria indiane ende nuk e ka konfirmuar këtë. Si reagim ndaj importit të naftës ruse nga India, Trump kishte vendosur më 27 gusht një tarifë shtesë prej 50% mbi produktet indiane të eksportuara në SHBA.

Në një zhvillim tjetër, SHBA dhe Japonia po diskutojnë plane për investime strategjike japoneze në SHBA, si pjesë e një marrëveshjeje tregtare të arritur në korrik. Uashingtoni pret investime prej 550 miliardë dollarësh nga Japonia, por Tokio thekson se këto do të jenë kryesisht kredi dhe garanci shtetërore, jo investime direkte, gjë që ka sjellë mosmarrëveshje mes palëve lidhur me mënyrën e zbatimit të marrëveshjes.

Scroll to Top