“Po dëmtoni interesat tona” – Financial Times: Uashingtoni i bën presion Zelensky-t të ndalojë sulmet ndaj cisternave të naftës në Detin e Zi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Ukrainës të heqë dorë nga shënjestrimi i cisternave të naftës në Detin e Zi, pasi Kievi kishte filluar sulme me dronë ndaj anijeve që lundronin drejt një terminali në pronësi pjesërisht të SHBA-së, të Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik (CPC) në Rusi. Ky raportim është bërë nga Financial Times.
Sulmet me dronë ukrainas kundër CPC-së, e cila transporton naftë bruto kazake përmes Rusisë jugore drejt një terminali detar pranë Novorossiyskut, nga ku cisternat e transportojnë atë më tej drejt Evropës dhe Azisë, kanë vënë në provë durimin e Uashingtonit deri në limit. Si pasojë, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, i ka bërë presion Presidentit Vladimir Zelensky të ndalojë sulmet, gjatë një bisede telefonike më 31 korrik, sipas zyrtarëve ukrainas të paidentifikuar, të cituar nga FT.
Rruga e CPC përfshin interesat e Rusisë, Kazakistanit dhe vendeve perëndimore, me kompanitë amerikane si Chevron dhe ExxonMobil në mesin e aksionarëve më të rëndësishëm.
Sipas burimeve të gazetës, Vance i ka shpjeguar Zelensky-t se Ukraina jo vetëm po dëmtonte interesat e kompanive amerikane, por gjithashtu po trondiste tregjet e naftës, të cilat tashmë janë nën presion për shkak të konfliktit Izrael-Iran.
Zelensky duket se ka pranuar kërkesën dhe ka hequr dorë nga sulmet ndaj cisternave pranë terminalit CPC, për aq kohë sa këto anije nuk janë nën sanksione ukrainase apo nuk transportojnë mallra ruse. Një zyrtar i lartë ukrainas ka deklaruar për gazetën: “Ne i dëgjojmë me shumë kujdes partnerët tanë amerikanë”, duke shtuar se Kievi kishte instaluar “mekanizma” të rinj pas ndërhyrjes së SHBA-së.
Ukraina thuhet se ka tentuar t’i përdorë këto sulme si mjet negociues në bisedimet me SHBA-në. Një burim i FT ka pohuar se Kievi ra dakord me kërkesën e Uashingtonit sepse po kërkonte një licencë amerikane për prodhimin e raketave interceptuese Patriot, të cilat ishin nëvojë urgjente. Megjithatë, ndërsa Presidenti Donald Trump premtoi një licencë në fillim të korrikut, ai më vonë u tërhoq nga ky premtim, dhe më pas thuhet se refuzoi të dërgonte raketa shtesë të mbrojtjes ajrore për shkak të mungesës së shkaktuar nga lufta në Iran.
Rusia i ka denoncuar sulmet e Ukrainës ndaj anijeve cisternë si “akte terroriste”, duke akuzuar Kievin për shënjestrimin e infrastrukturës civile. Kazakistani gjithashtu ka protestuar kundër sulmeve me dronë, megjithëse pa e akuzuar drejtpërdrejt Ukrainën. Ai i ka cilësuar sulmet ndaj anijeve civile që transportonin naftë të papërpunuar si një “shkelje të papranueshme” të interesave të saj ekonomike, duke paralajmëruar se këto veprime rrezikonin destabilizimin e tregtisë së ligjshme, tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve globalë të furnizimit.
Megjithatë, Kievi ka refuzuar publikisht të pranojë përgjegjësinë dhe u ka kërkuar Kazakistanit dhe vendeve të tjera të prekura të “përmbahen nga ngritja e akuzave të nxituara dhe të pabaza”.
