SHBA i shesin bomba Kanadasë 2.7 miliardë dollarë

SHBA-të po i shesin Kanadasë sasi të mëdha bombash me vlerë gati 2.7 miliardë dollarë

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se kanë miratuar shitjen e bombave me vlerë 2.68 miliardë dollarë Kanadasë, pavarësisht tensioneve tregtare mes dy fqinjëve.

Kontrata përfshin shitjen e mijëra bombave të llojeve të ndryshme, duke përfshirë:

  • 3,414 bomba BLU-111, me peshë 225 kilogramë secila
  • 3,100 bomba precize GBU-39
  • Bomba që depërtojnë blindazhin

Ky informacion u bë i ditur sipas një deklarate nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), e cila shtoi se Kongresi u njoftua për transaksionin, siç kërkohet nga ligji amerikan. Kontraktorët kryesorë janë Boeing dhe RTX Corporation (më parë Raytheon Technologies).

Shitja “do të rrisë aftësitë ushtarake të një aleati të NATO-s … dhe aftësinë mbrojtëse të besueshme të Kanadasë për të penguar çdo sulm”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, njoftoi në qershor se vendi i tij do t’i kushtonte 2% të PBB-së mbrojtjes këtë vit, me qëllim përmbushjen e qëllimit të vendosur nga NATO, “gjysmë dekade përpara afatit”, për shkak të “kërcënimeve në rritje”. Ai shtoi gjithashtu se Ottawa do të përpiqet të zvogëlojë varësinë e saj nga Shtetet e Bashkuara për pajisje ushtarake, duke vënë në dukje pasojat e sjelljes së re të Uashingtonit në nivel ndërkombëtar.

Që kur u rikthye në presidencën e SHBA-së në janar, Donald Trump ka folur me përçmim për Kanadanë, ka argumentuar vazhdimisht se fqinji verior i SHBA-së duhet të bëhet shteti i saj i 51-të dhe ka nisur një luftë tregtare kundër saj, duke zbatuar një sërë tarifash shtesë doganore.

Scroll to Top