SHBA-ja dhe Europa: Pasiguri te Konferenca e Mynihut

Tre fjalime amerikane në Mynih, dhe shumë konfuzion

Ndërsa mesazhi amerikan lëkundej nga trashëgimia dhe vlerat e përbashkëta te interesat e përbashkëta dhe sërish mbrapsht, europianët pyesin veten se çfarë lloj aleance u ka mbetur.

Brenda vetëm një viti, liderët europianë kanë dëgjuar tre versione të ndryshme, në Konferencën e Mynihut, se si administrata Trump po e ripërcakton marrëdhënien e SHBA-së me aleatët. Të treja kanë tone të ndryshme, por mesazhi thelbësor është i njëjtë: angazhimi amerikan për mbrojtjen e Europës nuk është më i pakushtëzuar.

Versioni i parë erdhi nga zv.Presidenti JD Vance vitin e kaluar në Konferencën e Mynihut, i cili sulmoi modelin europian të demokracisë, duke argumentuar se emigracioni dhe kufizimet ndaj partive të ekstremit të djathtë përbëjnë kërcënim më të madh për Europën sesa Rusia.

Versioni i dytë u dha nga Marco Rubio, me një ton më të butë. Ai foli për një “trashëgimi të përbashkët civilizuese” mes SHBA-së dhe Europës, të lidhur nga feja e krishterë, kultura dhe historia, duke paralajmëruar për “zhdukje civilizuese” nëse nuk kontrollohen kufijtë. Por theksi i tij mbi “mbrojtjen e qytetërimit perëndimor” u interpretua nga shumë europianë si një mesazh ideologjik që lë jashtë një pjesë të shoqërive moderne multietnike.

Versioni i tretë erdhi nga Elbridge Colby, zyrtar i lartë në Pentagon, i cili shmangu retorikën kulturore dhe theksoi se aleancat duhet të bazohen në interesa konkrete dhe jo në emocione apo “vlera të përbashkëta”. Ai insistoi në realizëm strategjik dhe në faktin se Europa duhet, me kalimin e kohës, të jetë në gjendje të mbrojë veten në një konflikt konvencional.

Kontrasti mes këtyre tre qasjeve ka lënë Europën të pasigurt: me cilën Amerikë po bashkëpunon realisht?

Nga njëra anë, SHBA kërkon që Europa të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake deri në vitin 2035. Nga ana tjetër, europianët e dinë se nëse ndarja me Uashingtonin thellohet, do t’u duhen 10–20 vite dhe kosto shumë më të larta për të zëvendësuar fuqinë ushtarake amerikane.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e konsideroi fjalimin e Rubios qetësues, ndërsa figura të tjera paralajmëruan se pas retorikës së “qytetërimit të përbashkët” mund të fshihet një agjendë ideologjike që ndërhyn në politikën e brendshme europiane.

Sipas analistit Ivan Krastev, problemi më i madh për Europën nuk është kërkesa për më shumë shpenzime ushtarake, por fakti që administrata amerikane po bëhet gjithnjë e më ideologjike dhe e gatshme të ndërhyjë në debatin e brendshëm europian.

Pra Europa po përpiqet të kuptojë nëse Amerika e sotme është një aleat tradicional i bazuar në interesa strategjike dhe mbrojtje kolektive, apo një fuqi që kërkon ta riformatojë aleancën mbi baza ideologjike dhe kulturore.

Në një kohë kur lufta në Ukrainë sfidon drejtpërdrejt sigurinë europiane, pasiguria për rolin real të SHBA-së është shqetësimi më i madh në kryeqytetet e kontinentit.

Scroll to Top