SHBA largohet nga OBSH: Pasojat dhe kritikat

SHBA tërhiqet zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke qenë një nga donatorët më të mëdhenj të saj. Presidenti amerikan Donald Trump kishte nënshkruar urdhrin ekzekutiv që sinjalizonte tërheqjen një vit më parë. Ai e kishte kritikuar organizatën për qasjen e saj, duke e cilësuar si shumë “të përqendruar te Kina” gjatë pandemisë Covid.

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore deklaroi se vendimi për tërheqjen ishte marrë për shkak të “keqmenaxhimit” të pandemisë nga OBSH-ja, pamundësisë për të zbatuar reforma dhe ndikimit politik nga shtetet anëtare.

OBSH-ja i ka hedhur poshtë këto pretendime, ndërsa drejtori i përgjithshëm i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh se tërheqja përbën një humbje si për SHBA-në, ashtu edhe për botën.

Uashingtoni tradicionalisht ka qenë një nga donatorët kryesorë të OBSH-së. Megjithatë, duke mos i paguar tarifat për vitet 2024 dhe 2025, ajo ka shkaktuar tashmë humbje të konsiderueshme të vendeve të punës në organizatë.

Edhe pse mbështetësit e OBSH-së sugjerojnë se SHBA-të janë të detyruara të paguajnë detyrimet e prapambetura, të vlerësuara në 260 milionë dollarë, Uashingtoni ka deklaruar se nuk sheh ndonjë arsye për ta bërë këtë.

“OBSH-ja njollosi dhe shkatërroi gjithçka që Amerika ka bërë për të”, thuhej në një deklaratë të përbashkët nga Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Scroll to Top