SHBA-Rusi: Plan paqeje për Ukrainë pa Kiev?

Analiza BW: A ka negociuar SHBA me Rusinë një plan paqeje për Ukrainën?

Ukraina po përballet me sulme të ashpra ruse. Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë negociuar një plan paqeje me Rusinë, pa pjesëmarrjen e Kievit.

Sipas këtyre raportimeve, udhëheqja amerikane nën Presidentin Donald Trump ka hartuar fshehurazi një plan të ri me Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Drafti i planit kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina e sulmuar dhe i përgjigjet kryesisht kërkesave të Rusisë ndaj Kievit, sipas raportimeve të Financial Times.

Plani parashikon që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga rajonet e kontestuara të Donetskut dhe Luhanskut dhe të pranojë kufizime, siç është zvogëlimi i ushtrisë së saj. Financial Times thekson se ka cituar burime të përfshira në negociata.

Ukraina me gjasë është informuar mbi planet

Portali i lajmeve në Uashington, “Axios”, raportoi se ky plan duket se është negociuar në fund të tetorit nga i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe përfaqësuesi i Moskës, Kirill Dmitriev. Sipas raportit, Witkoff e ka informuar kreun e Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umyerov, për planin.

Sipas “Axios”, duket se edhe Turqia dhe Katari kanë marrë pjesë në bisedime. Për të diskutuar mbi planet, është njoftuar se një delegacion ushtarak amerikan ka udhëtuar në Kiev. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, raportoi një takim me Daniel Driscoll, Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së për Ushtrinë.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, përveç Driscoll, delegacioni përfshin tre gjeneralë dhe oficerë të tjerë, të cilët pritet të takohen edhe me Presidentin Volodymyr Zelensky.

Nga ana tjetër, në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se nuk ka pasur propozime të reja midis Rusisë dhe SHBA-së për t’i dhënë fund luftës. Ai shtoi se marrëveshja e arritur nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe Trump në samitin e tyre në Alaska në gusht mbetet në fuqi.

Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore kundër Ukrainës perëndimore, duke vrarë të paktën 25 persona, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Tre vjet e gjysmë më parë, ushtria ruse pushtoi Ukrainën në një front të gjerë me urdhër të Putinit.

Scroll to Top