SHBA sanksionon familjen Maduro, paralajmëron sulme tokësore

SHBA vendos sanksione ndaj familjarëve të Maduro, Trump paralajmëron për sulme tokësore

Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj anëtarëve të familjes dhe bashkëpunëtorëve të Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, ndërsa Uashingtoni shtoi presionin mbi presidentin venezuelian.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së, në një deklaratë, bëri të ditur se kishte vënë nën sanksione shtatë persona, të cilët thuhet se ishin të lidhur me Maduro dhe bashkëshorten e tij.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i akuzoi ata se “mbështesin narkoshtetin e Nicolas Maduro”.

“Ne nuk do të lejojmë që Venezuela të vazhdojë ta përmbytë kombin tonë me drogë vdekjeprurëse,” tha Bessent. “Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij kriminelë kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e hemisferës sonë. Administrata Trump do të vazhdojë të shënjestrojë rrjetet që mbështesin diktaturën e tij të paligjshme”, theksoi zyrtari amerikan.

Ministria e informacionit e Venezuelës nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Maduro dhe qeveria e tij kanë mohuar me forcë lidhjet me krimin dhe thonë se SHBA-të po kërkojnë ta rrëzojnë atë në mënyrë që të marrin kontrollin e rezervave të mëdha të naftës së Venezuelës.

Në muajt e fundit, administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump ka rritur presionin mbi Maduron, duke ekzekutuar një grumbullim ushtarak në shkallë të gjerë në Karaibet jugore. Gjithashtu ka kryer sulme kundër anijeve të dyshuara për drogë në rajon, ka sekuestruar një cisternë nafte të sanksionuar në brigjet e Venezuelës dhe ka shpallur një “bllokadë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Donald Trump ka thënë vazhdimisht se “sulmet në tokë në Venezuelë do të vijnë së shpejti”.

Scroll to Top