SHBA sanksionon Luftar Hysën për pastrim parash me kartelin Sinaloa
Luftar Hysa, personi i cili u prit në zyrën e tij nga kryeministri Edi Rama dy vite më parë, është sanksionuar sot nga Shtetet e Bashkuara dhe Meksika nën akuzë për pastrim parash për llogari të kartelit meksikan Sinaloa.
Njoftimin e ka bërë të ditur Departamenti i Thesarit në SHBA, duke theksuar se autoritetet amerikane dhe meksikane kanë goditur një rrjet të madh pastrimi parash të lidhur me kartelin Sinaloa, i cili drejtohet nga “Hysa Organized Crime Group”.
Departamenti i Thesarit i quan Luftar Hysën dhe personat e tij të afërt – Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa – pjesë e këtij grupi kriminal. Sipas Departamentit, “Hysa Organized Crime Group” është një organizatë kriminale familjare me origjinë shqiptare, me veprimtari në Meksikë, Kanada dhe Europë.
Në kuadër të këtij operacioni, Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar gjithsej 27 individë dhe kompani. Gjithashtu, po propozohet shkëputja nga sistemi financiar amerikan e 10 kazinove në Meksikë, të cilat dyshohen se janë përdorur për pastrim parash dhe trafik droge.
Familja Hysa, përfshirë Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa, akuzohet se ka përdorur biznese, kazino dhe restorante në Meksikë për të pastruar para për kartelin Sinaloa dhe për trafikantë ndërkombëtarë. Sipas autoriteteve amerikane, grupi ka transportuar para kesh drejt SHBA-së, ka përdorur kompani në Europë për të fshehur fitimet dhe ka operuar me dijeninë e kartelit Sinaloa.
Sanksionet e vendosura bllokojnë çdo pasuri të tyre në SHBA dhe ndalojnë institucionet amerikane të kryejnë transaksione me ta.
