Mediu: SHBA të rrisë angazhimin në Ballkan, paralajmëron rrezik nga ndikimi ruso-kinez në Shqipëri
Deputeti Fatmir Mediu, pas një sërë takimesh në Departamentin e Shtetit të SHBA dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, theksoi rëndësinë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtje në nivelin 5%, si një domosdoshmëri për forcimin e NATO-s dhe garantimin e sigurisë kolektive.
Gjatë këtyre takimeve, Mediu ngriti shqetësimin për rrezikun e reduktimit të pranisë në KFOR, në një moment kur ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajonin e Ballkanit është në rritje. Ai bëri të ditur se në takimin në Departamentin e Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe ndihmëssekretari për Evropën dhe Azinë, Brendan Hanrahan, u prezantua qasja e administratës së Donald Trump, e cila vendos theks të veçantë te rritja e investimeve në mbrojtje si një element kyç për të ardhmen e Aleancës.
Mediu kërkoi gjithashtu një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, duke theksuar kërcënimet që, sipas tij, vijnë nga Serbia ndaj Kosovës, si dhe rritjen e pranisë ekonomike të Kinës në Shqipëri, e cila mund të cenojë sigurinë kombëtare dhe atë të partnerëve strategjikë.
Në diskutimet e tij, ai nënvizoi nevojën për harmonizimin e politikave të kontrollit të investimeve në fushën e mbrojtjes në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Sipas Mediut, kjo nuk duhet të kufizohet vetëm në kuadrin ligjor, por edhe në forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatim dhe vlerësim, me qëllim parandalimin e depërtimit të aktorëve me qëllime të këqija si Rusia dhe Kina.
Ai shtoi se rritja e ndikimit ekonomik të Kinës në Shqipëri është tashmë një realitet, i cili, nëse nuk menaxhohet me kujdes, mund të përbëjë një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për marrëdhëniet me aleatët.
