SHBA-të do ta shpallin terrorist Kartelin de los Soles të Venezuelës, të cilin pretendohet se e udhëheq Maduro
Cartel de los Soles, një rrjet i dyshuar kriminal që Shtetet e Bashkuara pretendojnë se udhëhiqet nga presidenti venezuelian Nicolás Maduro, pritet të shpallet zyrtarisht Organizatë e Huaj Terroriste (FTO) më 24 nëntor, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.
Lajmi u konfirmua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se vendimi synon të zgjerojë fuqinë ligjore të SHBA-ve për të goditur më agresivisht rrjetin dhe bashkëpunëtorët e tij të dyshuar.
Një përcaktim i tillë, në praktikë, do t’i vendoste edhe vetë Maduros etiketën e “terroristit”, për shkak të akuzave amerikane se ai kryeson Cartel de los Soles – akuzë që presidenti venezuelian e ka mohuar vazhdimisht.
Administrata Trump vazhdon të ndjekë një qasje agresive kundër qeverisë së Maduros, të cilën SHBA nuk e njeh si legjitime pas akuzave për manipulim elektoral.
Rubio theksoi se shpallja e kartelit si FTO hap rrugën për masa më të ashpra, pasi tashmë do të jetë e paligjshme të jepet ndihmë apo mbështetje ndaj grupit.
Më herët, Departamenti i Thesarit kishte vendosur sanksione ndaj grupit, por përcaktimi si FTO pritet të zgjerojë ndjeshëm kompetencat juridike të SHBA-ve.
Sipas Uashingtonit, Cartel de los Soles përfshin anëtarë të rrethit të ngushtë të Maduros, madje edhe figura ushtarake të larta, duke u marrë me trafik droge dhe aktivitete të paligjshme minerare. Megjithatë, SHBA nuk ka publikuar prova konkrete që lidhin drejtpërdrejt presidentin venezuelian me trafikun e drogës.
Pavarësisht kësaj, Uashingtoni e konsideron Maduron një nga “trafikantët kryesorë të drogës” dhe në gusht rriti shpërblimin për informacione që çojnë në arrestimin e tij në 50 milionë dollarë.
Nga ana e tij, Maduro ka akuzuar SHBA-në për “fabrikim të një lufte të re”, sidomos pasi administrata Trump urdhëroi vendosjen e aeroplanmbajtëses USS Gerald Ford në Karaibe në tetor.
