Hën. Tet 15th, 2018

SHBA – Trump: I hapur për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin

UASHINGTON, 6 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh sot i hapur për një marrëveshje të re bërthamore me regjimin iranian, duke konfirmuar rivendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Teheranit, që e akuzon se po destabilizon Lindjen e Mesme.

“Në çastin që ne mbajmë presionin tonë ekonomik në maksimum mbi regjimin iranian, unë qëndroj i hapur për një marrëveshje më të përgjithshme që përfshin gjithë aktivitetet negative, përfshirë këtu edhe programin balistik dhe mbështetjen e tij për terrorizmin”, njofton presidenti amerikan në një komunikatë.

Ky tekst është publikuar disa orë pas rikthimit të sanksioneve ekonomike të vendosura pas tërheqjes së njëanshme të vendit të tij nga marrëveshja historike mbi çështjen bërthamore të arritur në vitin 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha.

Vala e parë e sanksioneve amerikane, që hyn në fuqi nëser në orën 04:01 GMT, parashikon bllokime mbi transaksionet financiare dhe importet e lëndëve të para, si dhe masa që penalizojnë blerjet në sektorin automobilistik dhe atë të avionëve. Këto sanksione do të ndiqen nga të tjera në muajin nëntor që do të prekin sektorin e naftës dhe gazit si dhe bankën qendrore. /G.S/

Kategori