SHBA: Trupat nuk do të vendosen në Gaza, konfirmon Centcom

Kreu i komandës ushtarake amerikane për Lindjen e Mesme (Centcom), Brad Cooper, ka njoftuar se ka vizituar Gazën për të diskutuar “stabilizimin” e situatës. Ai ka siguruar publikun se asnjë ushtar amerikan nuk do të vendoset në enklavën palestineze.

Admirali Brad Cooper ka sqaruar se nga vizita në Gaza u diskutua krijimi i një “qendre koordinimi politiko-ushtarak” nën komandën e Centcom, e cila “do të kontribuojë në stabilizimin” e situatës.

Ndërkohë, një grup prej 200 ushtarësh amerikanë pritet të udhëtojnë drejt Izraelit për të ndihmuar në monitorimin e një armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit, si pjesë e planit të paqes të Presidentit Donald Trump.

“Bijtë dhe bijat e uniformuara të Amerikës po i përgjigjen thirrjes për të konsoliduar paqen në Lindjen e Mesme, në mbështetje të direktivave të kryetarit të Shefave të Përbashkët të Shtabit në këtë moment historik,” ka shkruar Brad Cooper, i cili mori detyrën si komandant i Centcom në gusht. Ai ka theksuar se “kjo përpjekje e madhe do të kryhet pa praninë e trupave në Gaza”.

Leave a Comment

Scroll to Top