## SHBA dhe Izraeli Sulmojnë Iranin; Mediat Raportojnë Për Vdekjen e Liderit Suprem
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një sulm kundër Iranit të shtunën. Ky lajm u bë publik nga ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Zoti Katz paralajmëroi për një kundërpërgjigje të mundshme nga Irani, duke përdorur dronë dhe raketa balistike.
Disa media izraelite raportuan se lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, mund të ketë vdekur. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas raportimeve, objektivat e goditura përfshinin institucione kyçe në Teheran, siç janë parlamenti, presidenca, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, Ministria e Inteligjencës dhe Organizata e Energjisë Atomike.
Media amerikane Fox News raportoi gjithashtu për sulme kibernetike ndaj mediave iraniane, përfshirë agjencinë shtetërore IRNA.
Si kundërpërgjigje, Irani ka nisur sulme raketore ndaj objektivave në Jordani, Bahrein dhe Katar. Shpërthime të forta u dëgjuan edhe në Doha, pak minuta pasi Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se raketat iraniane ishin interceptuar. Objektiva amerikane u goditën gjithashtu në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas The New York Times, operacioni kundër Iranit pritet të jetë më i gjerë se sulmet ajrore të qershorit ndaj impianteve bërthamore. Presidenti Donald Trump konfirmoi nisjen e fushatës ushtarake, duke deklaruar se Irani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore dhe se përpjekjet për marrëveshje kishin dështuar.
