Trump mbledh kabinetin për të diskutuar çështjen e Venezuelës
Presidenti amerikan Donald Trump do të kryesojë sot një mbledhje në Zyrën Ovale për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës. Kjo zhvillohet në një kohë kur Uashingtoni po ushtron presion në rritje ndaj Venezuelës, duke ndërmarrë operacione kundër objektivave detarë dhe duke forcuar praninë ushtarake në Karaibe.
Sipas burimeve, në takim pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë të kabinetit dhe të ekipit të sigurisë kombëtare. Mes tyre përmenden sekretari i Mbrojtjes, Pite Hegseth, shefi i Forcave të Armatosura, gjenerali Dan Kane, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Ëiles, dhe zëvendësshefi i stafit, Stephen Miller.
Mbledhja, e planifikuar për në orën 17:00 (me orën lokale), vjen pasi SHBA-të kanë shtuar presionin ndaj Venezuelës, duke goditur anije të dyshuara për trafik droge dhe duke forcuar praninë ushtarake në rajonin e Karaibeve.
Javën e kaluar, Trump deklaroi se SHBA-të do të ndërpresin “shumë shpejt” edhe trafikun e drogës në tokë, jo vetëm në det. Gjatë fundjavës, ai publikoi një paralajmërim të gjerë në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje linjave ajrore, pilotëve dhe rrjeteve kriminale të shmangin hapësirën ajrore të Venezuelës.
Trump konfirmoi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin venezuelian Nicolás Maduro, por nuk dha detaje mbi përmbajtjen e diskutimit.
Mbledhja në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet ndërkohë që anëtarë të Kongresit vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje lidhur me ligjshmërinë e sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në zonë, sulme të cilat kanë rezultuar në vdekjen e mbi 80 personave.
