Shefi i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump “po bën gjërat e duhura për Aleancën”, duke inkurajuar vendet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
Këto komente u bënë gjatë një vizite në Kroaci, ku Rutte zhvilloi një takim me kryeministrin Andrej Plenkoviç. Edhe pse nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes lidhur me komentet e Trump për Groenlandën, Rutte theksoi se mirëpret diskutimet mes aleatëve për një bashkëpunim më të thelluar në Arktik.
“Britanikët dhe gjermanët kanë bërë disa njoftime sot. Ne po punojmë së bashku për të parë se si mund të forcohemi si aleancë, përfshirë shtatë vendet tona anëtare që kufizohen me veriun e largët dhe Arktikun, për të ndërtuar hapin e radhës, i cili është thelbësor”, tha Rutte.
Ai shtoi se Danimarka po përshpejton investimet në mbrojtje, duke përfshirë zhvillimin e kapaciteteve specifike për mbrojtjen e territoreve si Groenlanda.
“Po punojmë realisht së bashku. Shqetësimi im kryesor është se si të ruajmë sigurinë përballë Rusisë dhe çdo kundërshtari tjetër. Vëmendje duhet treguar edhe ndaj Kinës, e cila po forcon shpejt kapacitetet e saj ushtarake, si dhe Korenë e Veriut e aktorë të tjerë që mund të kenë qëllime të këqija. Ky është roli im dhe besoj se do t’ia dalim”, përfundoi shefi i NATO-s.
