Shehaj çon dosjen Balluku në Gjykatën Kushtetuese

Shehaj: Shkojmë në Gjykatën Kushtetuese për provat e Ballukut

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar se Partia Socialiste (PS) ka vendosur të mos i heqë imunitetin zv/kryeministres Belinda Balluku, të cilën sipas tij, po e mbron prej dy muajsh.

Shehaj u shpreh se nesër, së bashku me deputetin Erald Kapri, do të dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë që kjo e fundit të shprehet lidhur me faktin se dosja e Ballukut, dorëzuar në Kuvend nga SPAK, po mbahet sekret dhe deputetët nuk po lejohen të informohen mbi detajet e hetimit, edhe pse duhet të votojnë për heqjen e imunitetit të saj.

“SPAK ka kërkuar arrestimin e Ballukut. Ka një tentativë për ta mbrojtur atë, fillimisht me pezullimin e më pas me imunitetin. PS e ka bërë të qartë që nuk ka ndërmend të lejojë arrestimin, dhe kjo pritej sepse do të ishte një problem i madh për Ramën. Nuk dimë çfarë mund të bëjë ajo pas arrestimit; ajo e quante veten të paprekshme, duke menduar se kurrë nuk do të hetohej apo merrej nën hetim. PS ka dy muaj që e mbron Ballukun; e mbrojti me kërkesën e GJK, e bën çdo ditë me sulmet ndaj drejtësisë, e bën edhe kur nuk bëhen publike të dhënat në dosjen e Ballukut, kur deputetët duhet të vihen në dijeni pasi jemi ne që duhet të votojmë për imunitetin e saj. Nesër së bashku me deputetin Kapri do të dorëzojmë në GJK një kërkesë që të shprehen lidhur me këtë çështje. Balluku del në dosje me përgjime ku ndan tendera me bizneset, ku del edhe emri i Ramës,” tha ai.

Scroll to Top