Shehaj kundër Peleshit: Llogari për Thumanë-Kashar

Shehaj i drejtohet Peleshit: Pse ju “digjet” dy vjet pritje për një interpelancë për Thumanë-Kashar?

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Kuvendi ka kërkuar llogari lidhur me një interpelancë për çështjen e Thumanë-Kashar, duke theksuar se Belinda Balluku duhet të kishte dhënë shpjegime. Ai shtoi se, pavarësisht largimit të Ballukut nga detyra, për këtë çështje do të duhej të jepej llogari.

Shehaj u shpreh se aktualisht në Gjykatën e Lartë po krijohen mundësi për lirimin e personave të akuzuar për vjedhje. Sipas tij, nuk mund të pritet dy vjet për një interpelancë.

“Kërkesa e fundit për interpelancë me Belinda Ballukun, për skandalin e Thumanë-Kashar, është bërë në tetor. Jo vetëm që interpelanca nuk është zhvilluar, por ju e keni hequr nga programi i punës. Justifikimi se ajo nuk është më në detyrë nuk qëndron. Si është e mundur që kërkesat për interpelancë zhduken nga programi i punës? Ju nuk mund të shmangni llogaridhënien. Duhet të jepni llogari siç vodhi Balluku shqiptarët. Tentimi për ta mbrojtur me votë kundër arrestimit të saj, dhe më pas me Gjykatën Kushtetuese, me urdhër të Ramës, sot Kolegji është mbledhur për të liruar edhe ata që janë të burgosur. Interpelancën e bëj në emër të 50 mijë qytetarëve që na kanë votuar. Ju nuk jeni mësuar me interpelanca që ju ‘digjin’. Dy vjet pritje për një interpelancë. Kërkoj që sa më shpejt të vendoset në programin e punës”, tha ai.

Scroll to Top