Shehaj: Rama do të përballet me drejtësinë pas Ballukut

Masa ndaj Ballukut, Shehaj: Edi Rama do të përballet me drejtësinë

Agron Shehaj, anëtar i Partisë së Lirisë, ka reaguar ndaj vendimit të GJKKO-së për shkarkimin nga detyra të zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj theksoi se atë që nuk e bënë vetë Balluku dhe Rama, e bëri Gjykata. Ai gjithashtu shprehu bindjen se shumë shpejt do të vijë radha edhe e kryeministrit Edi Rama për t’u përballur me drejtësinë.

“Belinda Balluku sapo është shkarkuar nga detyra me vendim gjykate. Atë që nuk bëri Belinda Balluku vetë duke dhënë dorëheqjen, atë që nuk bëri Edi Rama duke e shkarkuar, e bëri Gjykata, me një vendim,” tha Shehaj.

Ai shtoi: “Më vjen keq ta them, por e vërteta është që këta, nëse nuk i tërheq zvarrë nga karrigia, nga pushteti, nuk ikin. Dhe fatkeqësisht duhet vendimi i gjykatës për t’i larguar. Ky është një moment historik për Shqipërinë. Shumë shpejt edhe Edi Rama do të përballet me drejtësinë, ashtu siç janë përballur të gjithë kryeministrat e korruptuar të rajonit,” përfundoi Shehaj.

Scroll to Top