Shehaj: Rama kërkon kapjen e drejtësisë me reformën zgjedhore

Ulërimat e Ramës/ Shehaj: Komisioni u ngrit me urgjencë për të kapur drejtësinë

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, komentoi videon ku shihet Edi Rama duke bërtitur në Romë, duke theksuar se ky veprim përbënte presion për nisjen e urgjencës së komisionit për reformën zgjedhore. Sipas Shehajt, dëshmia e këtij presioni ishte ngritja e shpejtë, ditën e sotme, e komisionit për reformën zgjedhore.

Shehaj deklaroi se ky komision nuk po ngrihet me qëllim përmirësimin e sistemit zgjedhor, por për të krijuar një pretekst për ndryshime kushtetuese, me synim kapjen e sistemit të drejtësisë.

Kreu i partisë “Mundësia” theksoi gjithashtu paradoksin e sjelljes së Partisë Demokratike, e cila, nga njëra anë, e cilëson situatën si “diktaturë pa zgjedhje”, ndërsa nga ana tjetër, diskuton për Senatin dhe ulet në tryezë me Ramën.

“Edi Rama dëshironte me çdo kusht që komisioni për reformën zgjedhore të mblidhej sa më shpejt. Dhe në fakt, sot u mblodh komisioni. Po pse ka Edi Rama kaq ngut për këtë reformë të sistemit zgjedhor? Kur në fakt zgjedhjet janë bërë para 6 muajsh dhe sistemi zgjedhor është perfekt për të, apo jo? Arsyeja është e thjeshtë. Edi Rama kërkon një pretekst për të futur duart në Kushtetutë. Ai do që, nëpërmjet pretekstit të ndryshimit të sistemit zgjedhor, të ndryshojë Kushtetutën për të kapur drejtësinë. Dhe kjo është arsyeja pse ne dëgjojmë nga njëra anë opozitën dhe Partinë Demokratike që bërtet duke thënë: ‘Kjo është një diktaturë, nuk ka zgjedhje’ e kështu me radhë, dhe nga ana tjetër, flet për Senatin dhe ulet në tryezë me Edi Ramën”, u shpreh Shehaj.

Scroll to Top