Shehaj: Rama i shpall luftë SPAK-ut duke përdorur Gjykatën Kushtetuese
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar se vendimi i Kryeministrit për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, është përplasja përfundimtare e Edi Ramës me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), para se kjo e fundit të hetojë edhe kreun e Qeverisë Shqiptare.
Në një video-mesazh, kreu i Mundësisë, Shehaj, thekson se Edi Rama do ta përdorë Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe veten e tij, njësoj siç bëri në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Edi Rama vendosi të mos e shkarkojë Belinda Ballukun, përkundrazi, vendosi ta mbrojë atë. Do të përdorë Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç bëri edhe me Erion Veliajn. Kjo është përplasja përfundimtare.”
Për Agron Shehajn, përplasja e fundit e Ramës me SPAK tregon se ky organ hetimor është i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe se nuk do të vonojë dita kur para drejtësisë do të dalë edhe Kryeministri i vendit.
“Kuptojmë që SPAK është i pavarur, tani është e qartë për të gjithë. Kjo tregon që SPAK po i heton dhe po i nxjerr para drejtësisë të gjithë: të majtë, të djathtë, të rinj, të vjetër, ata që janë në pushtet dhe ata që nuk janë në pushtet. Tani nuk kanë më gojë të flasin të thonë që gjoja Edi Rama i përdor kundër opozitës apo kundër kundërshtarëve të vet. Tani Edi Rama ka dalë haptazi kundër SPAK dhe do të shpëtojë veten, në fakt jo vetëm Belinda Ballukun. Tani nuk ka asnjë shans që Edi Rama t’i shpëtojë drejtësisë. Pse? Sepse e njëjta gjë ka ndodhur në shumë vende të Europës së Lindjes. Janë me dhjetëra kryeministra që janë dënuar, kanë bërë burg pavarësisht se ishin aq të pushtetshëm sa Rama, apo edhe më shumë se Rama,” theksoi Shehaj, duke nënvizuar se “ditë më të mira dhe më të bukura po vijnë për Shqipërinë”.
