Mar. Tet 23rd, 2018

SHËNIM – Një aleancë e vështirë, gjashtë pikat e mosmarrëveshjes midis Ankarasë dhe Uashingtonit

nga Luana Sarmini-Buonaccorsi

SHBA, 10 gusht /ATSH-AFP/ – Tensionet midis Uashingtonit dhe Ankarasë kaluan në një tjetër fazë me njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump për një rritje të konsiderueshme të tarifave doganore për çelikun dhe aluminin të importuara nga Turqia në SHBA.

Gjashtë çëshjet kryesore që i ndajnë ato:

– Fethullah Gülen –

Qëndrimi në SHBA që nga viti 1999 i imamit turk Fethullah Gülen është me shumë gjasa arsyeja kryesore e zëmëratës së Ankarasë.

Turqia akuzon në fakt këtë ish-aleat të presidentit Recep Tayyip Erdogan për orkestrim të puçit të dështuar të 15 korrikut 2016.

Ankaraja ka kërkuar në mënyrë të përsëritur ekstradimin e Gülen, i cili mohon çdo përfshirje në grushtin e dështuar të shtetit.

-Amerikanë të burgosur në Turqi-

Qëndrimi në burg për një vit e gjysmë, ndjekur nga arresti shtëpiak javën e kaluar të një pastori amerikan, Andrew Brunson, u bë objekt i krizës aktuale midis Ankarasë dhe Uashingtonit.

-Procesi Halkbank-

Në maj, Mehmet Hakan Atilla ish zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Bankës Publike turke Halkbank, u dënua nga një gjykatë amerikane me 32 muaj burg për mashtrim bankar dhe komplot në një çështje që përfshin miliarda dollarë.

Ai apeloi dënimin dhe Ankaraja protestoi ashpër pas dënimit të tij.

-Milicët kurdë në Siri-

Turqia nuk ndalet së kritikuari SHBA-në për mbështetjen e ofruar në Siri Njësive për Mbrojtjen e popullit kurd (YPG) për të luftuar kundër grupit të Shtetit Islamik (ISIS).

Ankaraja në fakt e konsideron këtë milici një degëzim të PKK-së e klasifikuar ‘’terroriste’’ nga Turqia por edhe nga SHBA-ja.

-Afrimi midis Ankarasë dhe Moskës-

Ankaraja dhe Moska po bashkëpunojnë ngushtë për çështjen siriane, por shqetësimi kryesor për Uashingtonin është marrëveshja e arritur për blerjen nga Turqia të sistemeve të mbrojtjes antiajrore ruse S-400, të cilat janë të papajtueshme me sistemet e mbrojtjes së NATO-s.

-Baza në Incirlik-

Që prej fillimit të krizës me SHBA-në, në fillim të gushtit, disa gazetarë të afërt me Ankaranë bënë thirrje për të mbyllur bazën ajrore në Incirlik, e cila ndodhet në jug të Turqisë dhe përdoret nga ana e SHBA-së për të goditur xhihadistët në Siri.

Disa pajisje bërthamore janë vendosur gjithashtu në këtë bazë turke e cila u hap më shumë se një gjysmë shekulli më parë, e shfrytezuar edhe nga NATO-ja.

Britanikët kanë aty avionë ushtarakë dhe gjermanët kanë qenë gjithashtu të pranishëm në këtë bazë, por tërhoqën avionët dhe trupat e tyre vitin e kaluar pas një përkeqësimi të marrëdhënieve midis Berlinit dhe Ankarasë./

/v.b/

Kategori