Sht. Nën 17th, 2018

Sherr në lokal, plagos me thikë bashkëfshatarin

Një konflikt në orët e para të mëngjesit për pak sa nuk i ka marrë jetën një 49-vjeçari në fshatin Sohodoll të Dibrës.

Policia bën të ditur se ka ndërhyrë menjëherë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e fshatit rreth orës 03.00 të mëngjesit të së shtunës.

“Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se në lokalin e shtetasit B.C, në fshatin Sohodoll janë konfliktuar me njëri- tjetrin shtetasit B.C, 49 vjeç, dhe B.B, 40 vjeç, ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë me mjete të ftohta (thikë), shtetasi B.C, i cili po transportohet me helikopter për ndihmë më të specializuar drejt Tiranës”, njofton policia e Dibrës.

Konflikti ka nisur nga një grindje e çastit mes dy personave. Pas ngjarjes autori dyshuar është larguar, por falë reagimit në kohë të policisë, është bërë e mundur gjetja, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i të dyshuarit B.B, i cili rezulton i dëmtuar lehtë gjatë konfliktit.

Vijon puna për kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes së sipërpërmendur.

InfoPasqyra/tch

Kategori