Mër. Dhj 12th, 2018

Shitja e diplomave, ligji i arsimit të lartë nuk e ka parashikuar

“Ne kemi një legjislacion që ato çfarë nuk ndalohen me ligj, janë të lejuara”. Është kjo arsyeja pse shitja e temave të diplomës online është kthyer tashmë në biznes fitimprurës.

InfoPasqyra/tch tregoi se si punimet akademike të çdo dege mund të blihen mjaft lehtë dhe thjesht me një mesazh, pasi në internet gjen pafund njoftime për këtë shërbim me çmime që nisin nga 10 mijë lekë dhe ndryshojnë sipas profileve. Sipas avokatit Isuf Shehu, ligji për arsimin e lartë nuk e trajton fare këtë problematikë.

“Nuk ekziston një parashikim ligjor, pikërisht për këtë lloj fenomeni dhe kjo është një mangësi e ligjit për arsimin e lartë, gjë që në shtetet e tjera evidentohet. Juve realizoni dhe shisni një vepër të caktuar, personi që e merr e deklaron si të vetën atë, përgjegjësia bie mbi këtë person që e deklaron si të tijën, diçka që e keni kryer ju. Domethënë që në këtë rast, ai ka mashtruar publikun, duke thënë që ky është një produkt i imi intelektual dhe ka përvetësuar një titull akademik prejt të cilit ai përfiton të drejta pasurore apo jo pasurore”, shprehet avokati Isuf Shehu.

Rastet më alarmante janë temat e diplomës plagjiaturë, që në doktrinën e huaj juridike parashikohen ndëshkime ligjore, por këtu ndodhin masivisht si pasojë e mungesës së mekanizmave për identifikimin e tyre.

“Nëse një person shet një punim të dikujt tjetër, në këtë rast ka patur përfitime ekonomike dhe normalisht këto sanksionohen nga ligji për të drejtën e autorit”, deklaroi avokati Shehu.

Referuar situatës ku jeta akademike mbështetet në një mashtrim, avokati sugjeron ndryshime në ligj.

“Duhet bërë rregullim për ligjin e arsimit të lartë, krahas kësaj, institutet e arsimit duhet të parashikojnë sisteme për të parandaluar plagjiaturën, përveçse të ndërmerren edhe sanksione”, tha Shehu.

InfoPasqyra/tch

Vendi – Top Channel

Kategori