Shitje bileta Shqipëri-Poloni: Tifozët shprehin shqetësim

Nesër ndeshja me Poloninë, “Tifozët kuqezi” shprehin shqetësime për mungesë biletash

Shqipëria do të ndeshet me Poloninë më 26 mars, në kuadër të fazës “Play Off” për Botërorin. Tifozët ultras të kombëtares, të njohur si “Tifozët kuqezi” (TKZ), kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mënyrën e shpërndarjes së biletave nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndeshjen që do të zhvillohet në Varshavë. Sipas tyre, stadiumi nuk do të ketë vend për tifozët e vërtetë, por vetëm për miq, klientë apo turistë.

TKZ shkruan se ky përjashtim nuk është i rastësishëm, por vjen si pasojë e qëndrimit të tyre aktiv dhe kundërshtimit ndaj organizimit të “Euro 2027” me Serbinë.

Në një postim të tyre thuhet:

  • “Edhe këtë herë, tribunat nuk do të jenë si gjithmonë. Jo për shkak të mungesës së dashurisë për Kombëtaren, por sepse dikush ka vendosur me vetëdije të heshtë zërin e saj më të zjarrtë.
  • Për Federatën Shqiptare të Futbollit, nuk ka rëndësi kush e ndien fanellën, por kush ka lidhje, kush është ‘i duhuri’, kush kalon nga dera e pasme.
  • Zemra lihet mënjanë, vendet shpërndahen sipas interesit. Bileta ka gjithmonë. Ka për miqtë, për klientët, për turistët.
  • Madje, agjensi turistike prej javësh kanë nisur oferta promovuese për Varshavën, me paketa të gatshme që përfshijnë edhe biletën e ndeshjes. Atëherë lind një pyetje shumë e thjeshtë: Ku i morën këto bileta? Pse për ata që e kanë mbajtur këtë ekip gjallë, me zë e me shpirt, nuk ka?
  • Dhe ta themi qartë, ky përjashtim nuk është rastësi. Është pasojë e qëndrimit tonë. Sepse ne nuk heshtëm. Sepse ne kundërshtuam hapur organizimin e Euro 2027 me Serbinë. Dhe sot, çmimi i asaj kundërshtie është ky: përjashtimi.
  • Por po harroni një gjë: stadiumi nuk është thjesht beton e karrige, është zë që shpërthen, është zemër që rreh fort, është zjarr që nuk fiket. Dhe këtë zjarr nuk mund ta kontrolloni me lista.
  • Këtë herë, nuk do mungojmë vetëm ne… do mungojë atmosfera, do mungojë pesha e çdo brohoritjeje, do mungojë ajo ndjenjë që e bën Kombëtaren më shumë se një ekip.
  • Dhe kur të bjerë ajo heshtje e ftohtë në tribunë, kur kënga të shuhet aty ku dikur digjte zjarr, atëherë do ta kuptoni: më shumë do të ndihet mungesa jonë, sesa do të vërehet prania juaj.
  • Sepse ne nuk jemi dekor, sepse ne jemi zëri dhe zemra e kësaj Kombëtare. Dhe pa ne, ai stadium është thjesht beton.

Tifozët kuqezi i urojnë fitore Kombëtares, duke theksuar se fanella është mbi gjithçka, dhe kjo largësi nuk është zgjedhje, por “zgjidhja” e FSHF-së.

Scroll to Top