Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, çmimet e shitjes së apartamenteve në Shqipëri kanë shënuar një rritje rreth 8 herë më të lartë në krahasim me shtetet e eurozonës dhe Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, indeksi Fischer tregoi se çmimet e banesave në vend u rritën me 14.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 41.7% krahasuar me një vit më parë.
Në shtetet e eurozonës, sipas Eurostat, çmimet e apartamenteve u rritën me 5.1% në tremujorin e dytë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të gjithë Bashkimin Europian, rritja ishte 5.4%.
Kjo përfaqëson një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Megjithëse ka diferenca të mëdha mes vendeve të BE-së, niveli i rritjes në Shqipëri është unik.
Nga shtetet anëtare, vetëm Finlanda shënoi një ulje të çmimeve (-1.3%), ndërsa Portugalia (+17.2%), Bullgaria (+15.5%) dhe Hungaria (+15.1%) patën rritjet më të larta.
Rritja e çmimeve të banesave në Shqipëri ka qenë kryesisht e nxitur nga ndryshimet në zonat bregdetare, ndërsa në Tiranë rritja ishte më e ulët.
Sipas raportit “Deloitte Property Index 2025”, çmimi mesatar i apartamenteve në Shqipëri ka arritur në 1620 euro për metër katror, me një rritje prej 16.6% nga viti i kaluar. Në Tiranë, çmimi mesatar ka kaluar 2000 euro/m², në Vlorë 2400 euro/m², dhe në Durrës 1350 euro/m².
Tirana dhe Vlora renditen ndër qytetet me rritjen më të lartë të çmimeve në vendet e përfshira në raportin e Deloitte, duke u krahasuar me qytete si Krakovi (+28.1%) dhe Jerusalemi (+25.2%).
Të dyja qytetet shqiptare kanë parë një interes të shtuar nga blerës vendas dhe ndërkombëtarë, veçanërisht Vlora, e cila ka përfituar nga zhvillimi i turizmit dhe investimet infrastrukturore.
Agjentët raportojnë rritje çmimesh pothuajse në të gjitha zonat, me rritje veçanërisht të forta në Tiranë dhe zonën bregdetare. Në Tiranë, çmimi mesatar për metër katror u rrit në 2000 euro/m² deri në fund të vitit 2024.
Qytetet bregdetare gjithashtu shënuan rritje, me çmime apartamentesh në Vlorë mesatarisht 1500-1800 euro/m², ndërsa projektet rezidenciale luksoze në Dhërmi dhe Sarandë arritën në 1500-2500 euro/m².
Pasuritë në bregdet u shtrenjtuan ndjeshëm në pranverën e vitit 2025, me rritje nga 20% deri në 67%, duke reflektuar një treg aktiv të orientuar nga blerës të huaj.
Kërkesa në bregdet dominohet nga shtetas të huaj, kryesisht nga vendet pa dalje në det në Europë. Rreth 90% e shitjeve në zonat bregdetare bëhen nga të huaj, të cilët blejnë prona për pushime dhe investime.
Zona e Lungomares, Rradhimës dhe Orikumit në Vlorë kanë regjistruar shtrenjtimet më të larta, me çmime shitjeje në vijën e parë të ndërtimit që arrijnë 2500-3500 euro/m².
Edhe Saranda po përjeton shtrenjtim çmimesh nga shtimi i kërkesës së të huajve, me çmime shitjeje në ndërtimet e reja pranë detit që variojnë nga 2000 deri në 3500 euro/m², dhe në resorte deri në 4000 euro/m².
Tendenca në rritje e kërkesës për prona nga turistët e huaj ka ndikuar në pakësimin e ofertës dhe rritjen e çmimeve, megjithatë, kërkesa nga të huajt ka hyrë në vitin e dytë të rënies.
Në Golem, çmimet e shitjes së apartamenteve në vijën e parë arritën 2000 euro/m², një rritje prej 33% krahasuar me vitin 2024. Pranë “Shkëmbit të Kavajës”, çmimet u rritën 11%.
Çmimet brenda qytetit të Durrësit mbeten të larta, në nivelet 2000-2500 euro/m², për shkak të ofertës së kufizuar dhe kërkesës së qëndrueshme. Vendasit janë kthyer në blerje vetëm sivjet falë shitjeve me këste.
Edhe për zonën e Qerretit, çmimet e apartamenteve vijuan rritjen edhe për 2025, me çmime në vijën e parë që arritën deri në 2000 euro/m² (33% më shumë se vitin e kaluar) dhe në vijën e dytë deri në 1700 euro/m² (40% më shumë).