Mar. Gus 14th, 2018

Shkëndija humbet “shkëlqimin” ndaj Salzburgut

Shkëndija e Tetovës është shumë pranë dhënies së lamtumirës në raundin e tretë kualifikues të kompeticionit më prestigjioz për klube, Champions League, pasi është mposhtur në takimin e parë me Salzburgun, në Austri, me rezultatin e pastër 3-0.

Në një ndeshje të dominuar tërësisht në lojë e në raste nga austriakët, në fakt ishin dy penallti ato që do të hapnin siparin dhe do të mbyllnin gjithçka në avantazhin tejet të sigurtë të Salzburgut për ndeshjen e kthimit, pas një jave në “Philip II” të Shkupit.

Dy golat e parë u shënuan nga sulmuesi izraelit Munas Dabbur, i pari nga 11-metërshi, ndërsa po nga pika e bardhë e penalltisë do të regjistronte emrin mes shënuesve edhe sulmuesi nga Mali, Samassekou. Në minutat e fundit, austriakët do të mbeteshin në inferioritet numerik, por kjo nuk ndryshoi asgjë në fatin e rezultatit.

Pas 90 minutave në Maqedoni, Shkëndija duket se do të zbresë në kompeticionin e dytë për nga rëndësia, ku do të përballet me fituesin e çiftit Cork City (Rep. Irlandës) – Rosenborg (Norvegji), në “play off”-et e Europa League.

Ndërsa Salzburgu pritet të vijojë aventurën teksa do të përballet në “play off”-et e Championsit me fituesin e çiftit Crvena zvezda (Ylli i Kuq i Beogradit) – Spartak Trnava (Çeki).

InfoPasqyra/tch

Sport – Top Channel