Pakistan: 18 viktima dhe dhjetëra të plagosur pas shpërthimit në një fabrikë
Një shpërthim që ndodhi sot në një fabrikë prodhimi lëndësh ngjitëse në Pakistanin lindor ka shkaktuar vdekjen e të paktën 18 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, sipas zyrtarëve.
Zyrtari i ekipeve të shpëtimit, Farooq Ahmed, deklaroi se shpërthimi “rrafshoi plotësisht fabrikën dhe disa shtëpi aty pranë në qytetin industrial të Faisalabadit”.
Pas disa orësh kërkimesh dhe operacioneve të shpëtimit, nga rrënojat u nxorën 18 trupa dhe 23 persona të plagosur, njoftoi administratori lokal Raja Jahangir. Sipas Ahmedit, disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
“Një rrjedhje gazi mund të ketë shkaktuar shpërthimin,” tha Jahangir, duke iu referuar të dhënave paraprake.
Ky incident vjen pothuajse një javë pas një aksidenti të ngjashëm në një fabrikë fishekzjarrësh, në provincën jugore Sindh, ku humbën jetën 10 persona.
