Shpërthim me lëndë eksplozive në Kamëz
Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur pak pas mesnatës së të premtes në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz. Dyshohet se lënda eksplozive, me sa duket tritoli, është vendosur në pjesën e pasme të biznesit në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, të cilët janë kunetër.
Si pasojë e shpërthimit janë thyer disa xhama të fasadës së restoranit. Kamerat e sigurisë kanë arritur të fiksojnë autorin e maskuar, i cili pasi ka hedhur lëndën eksplozive, është larguar me vrap në këmbë.
Pronarët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd dhe nuk kanë asnjë ide se pse është vendosur lënda eksplozive. Si pasojë e ngjarjes, raportohet se janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi policia.
