Një shpërthim masiv në një strukturë ushtarake, ku trajtohen dhe prodhohen eksplozivë, në jugperëndim të Nashville ka rezultuar në humbjen e jetës së disa personave dhe të paktën 19 të tjerë rezultojnë të zhdukur, sipas zyrtarëve.
Ngjarja ndodhi pak para orës 08:00 të premten dhe pati jehonë kilometra larg. Pamjet ajrore tregojnë mbeturina të djegura, automjete të shkatërruara dhe rrënoja të objektit.
Fabrika, në pronësi të kompanisë Accurate Energetic Systems, merret me zhvillimin, prodhimin, trajtimin dhe ruajtjen e eksplozivëve. Autoritetet dhe ekipet e emergjencës hasën vështirësi në hyrjen në vendin e ngjarjes për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme.
Një numër i madh forcash zjarrfikëse, ekipe shpëtimi dhe forca sigurie janë angazhuar. Hetimet paraprake kanë filluar për të zbuluar shkakun e shpërthimit dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë.
Ndërkohë, zyrtarët nuk kanë dhënë një shifër të saktë viktimash, por lista e të zhdukurve mund të ndryshojë. Familjarët dhe banorët shprehin shqetësim, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin zonën.
Pritet përfshirja e hetuesve federalë në këtë çështje, për shkak të natyrës së objektit dhe materialeve të përdorura.