Demokratët dhe ish-mbështetësit e Trump shprehin shqetësime për shëndetin mendor të tij
Kundërshtarë politikë të Donald Trump, përfshirë anëtarë të Partisë Demokratike dhe ish-mbështetës të tij, kanë ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e tij mendore. Deklaratat e fundit të presidentit amerikan po interpretohen si shenja të një rënieje në aftësitë e tij kognitive, madje edhe si demencë.
Senatori demokrat Jack Reed ka deklaruar: “Duket se ai e ka humbur kontrollin”. Ndërsa përfaqësuesja progresive Alexandria Ocasio-Cortez ka theksuar: “Aftësitë mendore të presidentit po shemben”.
Komentatori i ekstremit të djathtë Tucker Carlson ka bërë thirrje për veprim, duke iu drejtuar zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe ushtarakëve: “Është koha t’i themi jo” presidentit.
Ish-përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene, e cila më parë mbështeste Trump por tani është kthyer kundër tij, u shpreh të dielën se presidenti është “çmendur”. Sot, duke u bashkuar me retorikën e shumë demokratëve, ajo mbështeti kërkesën për aktivizimin e Amendamentit të 25-të të Kushtetutës. Ky amendament i mundëson shkarkimin e një presidenti nëse ai konsiderohet i papërshtatshëm për të ushtruar detyrat e tij.
Deklaratat e fundit të presidentit karakterizohen nga kontradikta dhe dhunë verbale. Në një mesazh të vetëm, ai kërcënoi të shkatërronte Iranin, por gjithashtu përmendi mundësinë e një kompromisi, duke përfunduar me frazën: “Zoti e bekoftë popullin e madh të Iranit”.
Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, të cilën ai po kërkon urgjentisht ta hapë tani, më parë deklaronte indiferencë nëse ajo do të mbetej e mbyllur. Gjithashtu, synimet e tij për operacionin ushtarak të filluar më 28 shkurt paraqiten si kontradiktore. Fillimisht ai e lidhi operacionin me “ndryshimin e regjimit”, më pas e mohoi këtë qëllim dhe në fund deklaroi se “regjimi” tashmë kishte rënë.
Më 26 mars, ai shprehu se “nuk i interesonte” rezultati i negociatave me iranianët. Tani, ai po kërkon që bisedimet të jenë të suksesshme, duke kërcënuar me shkatërrimin e infrastrukturës së vendit në rast dështimi. Për këtë qëllim, ai i ka dërguar Teheranit një sërë “ultimatumesh”, ku i fundit skadon në orën 8 të mbrëmjes sipas kohës së Uashingtonit (ora 2 e mëngjesit të së mërkurës, sipas kohës së Shqipërisë).
