Plan masash për ndeshjen Shqipëri – Angli, kufizime qarkullimi në disa akse rrugore
Policia e Shtetit ka publikuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit mes Shqipërisë dhe Anglisë, e cila do të zhvillohet më datë 16 nëntor, në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”.
Në kuadër të këtij plani, janë marrë masa për:
- Shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Anglisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe gjatë kthimit për në Rinas.
- Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik jo vetëm pranë stadiumit, por edhe në territorin e të gjithë qytetit të Tiranës.
- Kryerjen e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para hyrjes së tifozëve.
- Sigurimin e rrugëkalimeve për shërbimet e emergjencës.
- Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, është bashkëpunuar me institucionet si Federata Shqiptare e Futbollit, UEFA, Garda e Republikës, Policia Bashkiake, Shërbimi Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë, spitalet dhe qendrat shëndetësore. Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po punohet me personelin e sigurisë të ekipit anglez për të rritur standardet e sigurisë.
Më datë 16 nëntor, nga ora 14:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit:
- Rruga “Papa Gjon Pali II”;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”;
- Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
- Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
- Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
- Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
- Rruga “Skerdilajd Llagami”;
- Rruga “Faik Konica”.
Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve para futjes në stadium, për të parandaluar hyrjen e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve kozmetike dhe sendeve të tjera të rrezikshme.
Njoftohen qytetarët, shqiptarë dhe të huaj, se sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim. Gjithashtu, hedhja e sendeve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Goditja ose vepra tjetër dhune ndaj sportistit, trajnerit apo arbitrit, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet, në varësi të rrethanave.
Hyrja në stadium për tifozët dhe sportdashësit me biletë fillon në orën 15:00. Kërkohet mirëkuptimi i tifozëve për t’u paraqitur në hyrje duke filluar nga kjo orë, për të shmangur humbjen e mundësisë për të hyrë në stadium për shkak të fluksit.
Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për t’u ofruar ndihmë dhe informacion tifozëve, në mënyrë që aktiviteti të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.
