Shqipëria: 54% e banorëve të fshatrave në rrezik varfërie

54% e banorëve të fshatrave vuajnë nga rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social, duke shënuar një rekord në Europë.

Shqipëria përballet me një kontrast të theksuar mes varfërisë në zonat rurale dhe atyre urbane. Varfëria në fshatra është dukshëm më e lartë se në qytete, një situatë e kundërt me Bashkimin Europian, ku diferenca mes zonave rurale dhe urbane është minimale.

Sipas të dhënave të Eurostat, më shumë se gjysma e banorëve të fshatrave shqiptare (54%) rrezikojnë varfërinë dhe përjashtimin social. Ky tregues është më i larti në Europë.

Kjo do të thotë se 54% e popullsisë në fshat plotësojnë të paktën një nga këto tre kritere:

  • Rrezik varfërie monetare: Të ardhurat e individit janë më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare.
  • Mungesa të rënda materiale ose sociale: Personi nuk arrin të përballojë shpenzime thelbësore si ngrohja, pagesa e faturave, blerja e ushqimit, rrobave apo mundësinë për pushime.
  • Jetesa në familje me intensitet shumë të ulët pune: Të rriturit në familje punojnë shumë pak ose aspak gjatë vitit.

Eurostat ka publikuar të dhënat për vendet e BE-së për vitin 2024, ndërsa informacioni më i fundit për Shqipërinë daton në vitin 2022.

Në Bashkimin Europian, treguesi i varfërisë dhe përjashtimit social në zonat rurale është dukshëm më i ulët, vetëm 21.4%. Në zonat rurale të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ky tregues është rreth 32-33%. Të dhënat mungojnë për Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Diferencë e fortë mes fshatit dhe qytetit

Në zonat urbane të Shqipërisë, treguesi i varfërisë dhe përjashtimit social ishte 37.6%, gati 14 pikë përqindje më i ulët se në zonat rurale. Megjithëse diferenca me fshatin është e ndjeshme, popullsia që jeton në qytet ende përballet me një nivel më të lartë varfërie krahasuar me mesataren e BE-së dhe rajonit.

Mesatarja e Bashkimit Europian për zonat urbane është 21%, pothuajse e njëjtë me 21.4% të zonave rurale, çka tregon një shpërndarje më të barabartë të pasurisë në rajonet e BE-së. Edhe krahasuar me rajonin, Shqipëria duket më mbrapa. Maqedonia e Veriut ka një tregues prej 25.9%, ndërsa Serbia e ka më të ulëtin, me 14.7%.

Mesatarja kombëtare

Në nivel kombëtar, 40.5% e popullsisë shqiptare është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024. Ndonëse ky rrezik është ulur krahasuar me vitet e mëparshme (nga 44.5% në vitin 2022), të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të lartë në Europë, dyfishin e mesatares së BE-së prej 21%.

Në rajon, Serbia ka varfërinë dhe përjashtimin social më të ulët (24.3%), e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (30%, të dhënat e vitit 2023) dhe Mali i Zi (34.1%, të dhënat e vitit 2022). Informacioni për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën mungon.

Scroll to Top