“`html
Shqipëri: 58% e të rriturve përmendin çmimet e larta dhe pagat e ulëta si shqetësim kryesor
Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve ku mbi gjysma e popullsisë e cilëson ekonominë si problemin kryesor kombëtar. Një studim i ri global i Gallup, i prezantuar në Samitin Botëror të Qeverive, zbulon se 58% e të rriturve shqiptarë i rendisin çmimet e larta, pagat e ulëta dhe standardin e jetesës si shqetësimin dominant.
Ky studim, i cili përfshiu të rritur nga 107 vende, kërkoi nga pjesëmarrësit të shprehnin me fjalët e tyre problemin më të rëndësishëm me të cilin përballet vendi i tyre. Në nivel global, mesatarisht 23% e të rriturve e identifikojnë ekonominë si çështjen më të rëndësishme kombëtare.
Të dhënat tregojnë se banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta kanë më shumë gjasa ta shohin ekonominë si problemin kryesor, krahasuar me ata të vendeve me të ardhura të larta. Tri vendet kryesore në këtë listë, pavarësisht nga kontekstet e tyre ekonomike dhe rajonale të ndryshme – nga pasiguria ushqimore në Malavi, te kolapsi ekonomik i Venezuelës dhe problemet me inflacionin në Bolivi – kanë të përbashkët një popullsi që i vendos shqetësimet ekonomike mbi çdo problem tjetër.
Sipas nivelit të të ardhurave:
- Në vendet me të ardhura të larta, mesatarisht 21% e qytetarëve përmendin ekonominë ose pamundësinë për të përballuar nevojat bazë (ushqimi, strehimi).
- Kjo përqindje rritet në 31% në vendet me të ardhura mesatare të larta.
- Dhe në 36% në vendet me të ardhura mesatare të ulëta.
- Në vendet me të ardhura të ulëta, përqindja arrin në 38%, ku 14% përmendin konkretisht nevojat bazë për ushqim dhe strehim, një shifër shumë më e lartë se në çdo grup tjetër sipas nivelit të të ardhurave.
Raporti: 12 kategoritë kryesore të problemeve globale
Në përgjithësi, qytetarët në mbarë botën i grupojnë shqetësimet e tyre në 12 kategori kryesore. Vetëm 1% deklarojnë se vendi i tyre nuk ka probleme, ndërsa 4% refuzojnë të përgjigjen ose thonë se nuk e dinë.
Katër tema dominojnë në nivel global:
- Çështjet ekonomike: renditen në krye, me një mesatare globale prej 23%.
- Puna dhe punësimi: 10%.
- Politika dhe qeverisja: 8%.
- Siguria dhe rendi: 7%.
Këto katër kategori përbëjnë rreth gjysmën e të gjitha përgjigjeve.
Në nivelin pasues renditen:
- Ushqimi dhe strehimi (3%).
- Çështjet sociale (3%).
- Mjedisi dhe ndryshimet klimatike (3%).
- Shëndetësia (3%).
Një 2% përmend arsimin, 1% secili përmend emigracionin dhe infrastrukturën, ndërsa më pak se 1% e identifikojnë median si problemin kryesor.
Sipas rajoneve, ekonomia renditet në vendin e parë kudo, përveç Amerikës së Veriut (SHBA dhe Kanada), ku politika është shqetësimi kryesor. Në Azi-Paqësor dhe Europë, pakënaqësia politike renditet e dyta. Në Afrikën Sub-Sahariane, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, më të theksuara janë problemet që lidhen me punësimin.
Në Amerikën Latine dhe Karaibe, siguria dhe rendi renditen në vendin e dytë, por bien në vendin e tretë në shumicën e rajoneve të tjera.
Raporti thekson se njerëzit i gjykojnë problemet kombëtare kryesisht përmes përvojës personale: nëse arrijnë të përballojnë jetesën, të gjejnë punë të qëndrueshme, t’u besojnë institucioneve dhe të ndihen të sigurt, më shumë sesa përmes treguesve makroekonomikë.
“`
