Shqipëria drejt BE: Anëtarësimi i mundshëm deri në 2030

Shefja e diplomacisë europiane dhe Komisionerja e Zgjerimit: Shqipëria ka bërë një përparim të paprecedentë, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është i mundur

Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, dhe Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp këtë të martë, më 4 nëntor, për të diskutuar progres-raportin e publikuar sot mbi vendet kandidate për anëtarësim, përfshirë Shqipërinë.

Gjatë fjalës së saj, Kallas theksoi se Shqipëria ka shënuar një progres të paprecedentë dhe se e konsideron të mundur anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.

“Zgjerimi mbetet një përparësi politike, një investim gjeopolitik mbi të gjitha. Pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe zhvillimet politike e bëjnë mjaft të rëndësishëm procesin e zgjerimit. Shanset për ta zgjeruar BE-në nuk vijnë shpesh, këtë e dëgjuam në KE, ku u tha ‘o sot o kurrë!’”, tha Kallas.

Ajo shtoi se nuk do të ketë një rrugë të shkurtër, pasi procesi i anëtarësimit bazohet në merita. “Është një mundësi mjaft realiste të kemi disa vende të reja anëtare brenda vitit 2030, si Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina. Më pas duhet të punojmë me vendet e tjera, Kosovën, Turqinë… Shqipëria ka një përparim të paprecedentë,” theksoi ajo.

Kallas përmendi gjithashtu se anëtarësimi i Ukrainës në BE do të jetë një garanci e fortë sigurie, por pavarësisht se vendi është në luftë, nevojiten reforma të thella. Ajo theksoi se zgjedhjet e mëparshme në Moldavi treguan një rritje të fortë të dëshirës së qytetarëve për anëtarësim, ndërsa procesi i zgjerimit në Kosovë dhe Serbi është ngadalësuar për shkak të konflikteve mes tyre.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes një postimi në rrjetin e saj social.

“Shqipëria ka bërë progres të paparë. Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një njohje e qartë e angazhimit të fortë politik të Shqipërisë dhe aspiratave të shoqërisë së saj për në BE”, shkruan Kos në platformën X.

Marta Kos shtoi se viti 2025 ka shënuar një përparim të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të BE-së, ku vendet si Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia dallohen për përparimet e arritura në reforma gjatë vitit të kaluar. Komisionerja nënvizon se kandidatët për anëtarësim kanë synime ambicioze për të përfunduar negociatat, ndërsa viti i ardhshëm do të jetë “moment i së vërtetës” për progresin e tyre.

Progres raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë vlerëson vijueshmërinë e qeverisë Rama 4 në avancimin drejt BE, por kërkon mos ndaljen e ritmit të reformave, të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

Përmes një postimi në rrjetin social X, kryeministri Edi Rama shkroi: “Po, e bëmë — dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë, të ecim përpara, së bashku.”

Scroll to Top