“`html
Puna me kontrata të përkohshme në Shqipëri, drejt zhdukjes
Bizneset dhe punonjësit në Shqipëri po heqin dorë nga preferenca për punësimin me kontrata të përkohshme, duke kërkuar më shumë siguri. Të dhënat më të fundit zyrtare të INSTAT-it, të cilat analizojnë përqindjen e të punësuarve me kontrata të përkohshme ndaj totalit të të punësuarve me pagë, tregojnë një rënie drastike të këtij treguesi. Ai ka zbritur nga nivelet dyshifrore të periudhës 2013-2017 në nivele historikisht të ulëta në fund të vitit 2025.
Në vitin 2014, më shumë se 15% e të punësuarve kishin kontrata afatshkurtra. Ndërkohë, në fund të vitit 2025, kjo kategori përbën vetëm 4.1% të të gjithë të punësuarve, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar në të dhënat zyrtare.
Kriza e vazhdueshme për krah pune ka detyruar punëdhënësit të ofrojnë kushte më të sigurta dhe kontrata afatgjata për të mbajtur stafin. Kjo vjen si pasojë e lëvizshmërisë së lartë dhe emigracionit, të cilët kanë krijuar mungesa të ndjeshme në treg, veçanërisht pas pandemisë.
Nga ana tjetër, formalizimi i ekonomisë dhe presioni në rritje nga inspektimet e punës kanë sjellë shumë marrëdhënie pune, të cilat më parë ishin të përkohshme ose të padeklaruara, në pozicione standarde pune.
Gjithashtu, ndryshimi i strukturës së ekonomisë drejt sektorëve të shërbimeve me vlerë të shtuar më të lartë kërkon një fuqi punëtore më të kualifikuar dhe më të qëndrueshme, gjë që zakonisht shoqërohet me kontrata të përhershme.
Në Bashkimin Europian, mesatarja e punësimit me kontrata të përkohshme luhatet zakonisht rreth nivelit 10-12%. Ka vende si Spanja apo Holanda, të cilat historikisht kanë pasur nivele shumë më të larta se Shqipëria, shpesh mbi 20%. Dallimi kryesor qëndron te natyra e këtyre kontratave, pasi në BE ato përdoren shpesh si një urë hyrëse për të rinjtë në tregun e punës ose për fleksibilitet të rregulluar ligjërisht.
Ekspertët e tregut të punës theksojnë se ky tregues duhet interpretuar si një reagim ndaj krizës së ofertës së punës. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku punëmarrësit mund të pranojnë kontrata të përkohshme për shkak të fleksibilitetit, në Shqipëri punëdhënësit po përdorin kontratat e rregullta afatgjata si mjetin kryesor për të parandaluar largimin e punonjësve drejt emigrimit ose sektorëve të tjerë.
Teksa në BE pjesa dërrmuese e forcës punëtore është e përfshirë në marrëdhënie pune me pagë, në Shqipëri një pjesë e konsiderueshme e popullsisë aktive nuk figuron në statistikat e kontratave, pasi punon në ferma familjare bujqësore ose si vetëpunësim pa kontratë.
“`
