Shqipëria, e fundit në Europë dhe Azi për politika industriale në 15 vitet e fundit
Banka Botërore e ka renditur Shqipërinë të fundit në mesin e 21 vendeve të rajonit Europë dhe Azi Qendrore përsa i përket ndërmarrjes së politikave industriale gjatë 15 viteve të fundit.
Në raportin e fundit mbi zhvillimet e pritshme ekonomike në këtë Rajon, Banka vuri në dukje se Shqipëria pozicionohet dobët në krahasim me vendet e tjera sa i përket hartimit dhe zbatimit të politikave të reja industriale dhe tregtare. Ndryshe nga vende si Serbia, Polonia apo Turqia, Shqipëria rezulton të ketë pasur zero politika industriale gjatë 15 viteve të fundit. Madje, Shqipëria paraqitet më dobët se Moldavia dhe Azerbajxhani.
Edhe gjatë sfidave globale si pandemia (2020–2021) apo kriza e çmimeve pas vitit 2022, numri i ndërhyrjeve të shënjestruara në sektorë specifikë ka mbetur afër zeros, duke e renditur vendin tonë të fundit në rajon për nga dinamika e mbrojtjes ose nxitjes së industrive përmes instrumenteve shtetërore.
Kjo renditje e dobët e Shqipërisë lidhet me modelin ekonomik, i cili mbështetet tek shërbimet dhe konsumi, me një varësi të lartë nga importet. Ndryshe nga vendet me bazë të fortë prodhuese, ku shteti ndërhyn për të mbrojtur eksportet ose për të zëvendësuar importet, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një strategji të qartë për sektorin e prodhimit apo teknologjisë.
Ndërsa vendet e tjera në Europë dhe Azi ndërhyjnë për të rregulluar sektorë si makineritë, energjia apo industria ushtarake, ekonomia shqiptare është përqendruar në turizëm dhe ndërtim. Këta sektorë rregullohen më shumë përmes lejeve dhe taksave të përgjithshme sesa përmes ndërhyrjeve të politikës tregtare.
Nga ana tjetër, ndërhyrjet e qeverive në politikat tregtare dhe industriale në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore janë rritur ndjeshëm pas pandemisë. Sipas të dhënave, rreth një e treta e vendeve të Rajonit kanë vijuar të zbatojnë masa të reja gjatë periudhës 2022-2025, me një intensitet që tejkalon mesataren e viteve 2009-2019. Ky trend reflekton një përpjekje të qeverive për të mbrojtur industritë vendase dhe për të siguruar zinxhirët e furnizimit në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Përsa i përket Ballkanit Perëndimor, të dhënat tregojnë një profil më të dobët të ndërhyrjeve në krahasim me fuqitë e mëdha rajonale. Shqipëria dhe Mali i Zi paraqiten me një aktivitet minimal. Pas një rritjeje të lehtë gjatë viteve të pandemisë 2020-2021, numri i masave të reja vjetore është rikthyer drejt zeros ose niveleve shumë të ulëta në vitet e fundit.
Ndryshe paraqitet situata në Serbi, ku shihet një rritje progresive e ndërhyrjeve, duke arritur kulmin në periudhën aktuale 2022-2025. Kjo tregon për një politikë industriale më agresive dhe të orientuar drejt mbrojtjes apo nxitjes së sektorëve specifikë.
