Shqipëria dhe Kosova ëndërrojnë Botërorin, projeksione të rralla të mundësive për shkak të dy ndeshjeve të vështira
Të dyja kombëtaret, Shqipëria dhe Kosova, shprehin dëshirën për të marrë pjesë në Botëror. Për të arritur këtë objektiv, secila prej tyre duhet fillimisht të fitojë gjysmëfinalen.
Kombëtarja shqiptare do të sfidojë nesër Poloninë, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës do të matë forcat me Sllovakinë. Të dyja ndeshjet do të luhen në transfertë dhe fillojnë në orën 20:45.
Projeksionet aktuale i japin Kosovës më shumë mundësi për të shkuar në Botëror. Sipas analizave, “Dardanët” kanë 41% mundësi për të arritur në finale, krahasuar me 32% të Shqipërisë.
Lidhur me kualifikimin në vetë Botërorin, situata aktuale tregon se Kosova ka 20% mundësi. Shqipëria, ndërkohë, ka vetëm 11% mundësi dhe renditet në vendin e 12-të nga 16 përfaqësueset pjesëmarrëse në “play-off”.
Ky është një rast i rrallë sa i përket projeksioneve, pasi platforma “Football Meets Data” nuk i jep asnjërës nga këto përfaqësuese më shumë se 50% mundësi për kualifikimin në Botëror. Shkak për këtë bëhen dy ndeshjet që duhen luajtur në fazën “play-off”.
Nëse Shqipëria arrin të kalojë Poloninë, në fazën finale do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Kosova, nga ana tjetër, do të sfidonte ekipin që do të dalë fitues nga çifti Turqi-Rumani.
Parashikimet për finalet e “play-off” janë si më poshtë:
- Uells – Itali
- Ukrainë – Poloni
- Sllovaki – Turqi
- Çeki – Danimarkë
Burimi: EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL
