Pre. Kor 20th, 2018

Shqipëria, hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

TIRANË, 9 Korrik // – Në raportin për Shqipërinë në vitin 2018 Komisioni Europian pranoi që janë ndërmarrë hapa të rëndëishëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadorja Romana Vlahutin, u shpreh në fjalën e saj në konferencën me temë “Forcimi i kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur – Qasja integruese” se fëmijët që kryejnë krime janë vetë viktima dhe theksoi ajo, “është e rëndësishme të kuptohet që një fëmijë nuk mund të rrijë në qeli si një i rritur, nuk mund të merret në pyetje si një i rritur dhe nuk mund të riedukohet si një i rritur”.

Aktiviteti u zhvillua në Qendrën Sociale të Bashkisë së Tiranës, në rrugën “5 Maji”, përballë me shkollën “Ardian Klosi”, për të cilën Vlahutin theksoi se “është një mjedis që mundëson që këta fëmijë të rriten ashtu siç duhet”.

Vlahutin theksoi se, duhet të praktikohen qasjet e vendeve europiane për trajtimin e këtyre fëmijëve.

“Siç ka ndodhur shpesh në shumë vende të BE-së, kjo është diçka që ka të bëjë me ndryshimin e kulturës gjyqësore, me ndryshimin e mendësisë. Nga pjesa ndëshkuese, në atë restauruese. Dhe kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë, kërkon kohë”, tha Vlahutin.

Megjithatë, shtoi ambasadorja Vlahutin, “kjo nuk është e thjeshtë sepse kërkohet që burimet për t’u marrë me këto të fëmijë të rriten”.

“Edhe zinxhiri i shërbimeve sociale duhet zhvilluar, për të ofruar alternativa reale ndaj paraburigimit ose burgimit”, tha Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së theksoi se, “nëse një fëmijë përsërit krimin, kjo nuk është tragjedi vetëm për jetën e tij, por për të gjithë shoqërinë”.

“BE do të vazhdojë të japë mbështetje të plotë për të gjitha insitucionet që kontribuojnë për mbrojtjen e fëmijëve”, tha Vlahutin.

/gj.mima//m.m/

Kryesore – Agjencia Telegrafike Shqiptare