Pas më shumë se një viti bllokim, qeveria shqiptare ka vendosur të rikthejë aksesin e plotë në platformën sociale “TikTok”. Ky rrjet social do të jetë përsëri i disponueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë, pas një periudhe bllokimi që nisi pak muaj pasi ndodhi vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, ngjarje e cila kishte si pikënisje një konflikt të nisur në këtë platformë.
Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për heqjen e masës së bllokimit, duke lejuar kështu rihapjen e aplikacionit. Vendimi, i cili daton më 13 mars 2025, parasheh që “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme”.
Më herët, Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se mbyllja e platformës do të ishte e përkohshme. Ai theksoi se aplikacioni do të rihapej pasi të arrihej një marrëveshje me kompaninë kineze për implementimin e filtrave, me synimin për të adresuar shqetësimet rreth ndikimit negativ të pretenduar mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.
