Shqipëria, me boshllëqe të mëdha në infrastrukturë, investimet japin kthim të lartë
Boshllëqet e konsiderueshme në sektorët e rrugëve, hekurudhave dhe energjisë e pozicionojnë Shqipërinë si një nga vendet ku investimet e reja në infrastrukturë mund të sjellin një kthim të lartë krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe Rajonit.
Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore, me titull “Bazat e infrastrukturës: Nga asetet ekzistuese drejt rritjes së ardhshme”, Shqipëria rezulton me një raport efikasiteti prej 4.39 në sektorin e energjisë dhe 2.22 në transport. Ky tregues do të thotë se për çdo 1 lek të investuar në energji, ekonomia mund të përfitojë rreth 4.4 lekë, ndërsa për çdo 1 lek të investuar në transport, kthimi mund të jetë rreth 2.2 lekë.
Ky kthim përfaqëson përfitimin e përgjithshëm që merr ekonomia, duke përfshirë rritjen e prodhimit, uljen e kostove, kursimin e kohës, lidhjen më të mirë me tregjet dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Banka Botërore e cilëson këtë si raportin e efikasitetit të investimeve në infrastrukturë, i cili krahason përfitimet ekonomike dhe sociale me kostot e financimit dhe konsumimit të tyre.
Një raport mbi 1 sugjeron se përfitimet e mundshme tejkalojnë kostot. Sidoqoftë, një raport i lartë nuk nënkupton një infrastrukturë më të zhvilluar, por përkundrazi, lidhet me faktin se ekonomia mbetet e nën-zhvilluar për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Banka Botërore shpjegon se kthimi nga investimet në transport priret të jetë më i lartë në vendet në zhvillim, pasi ato kanë më pak infrastrukturë dhe çdo projekt i ri plotëson një nevojë më të madhe. Në vendet e zhvilluara, rrjetet rrugore dhe hekurudhore janë tashmë të dendura, duke sjellë ndryshime më të vogla nga investimet shtesë. Megjithatë, në Shqipëri, për shkak të boshllëqeve të mëdha, ndikimi ekonomik i një projekti të ri mund të jetë shumë më i fortë.
Me një raport efikasiteti prej 2.22, Shqipëria paraqet një potencial kthimi më të lartë nga investimet në transport krahasuar me vendet e Rajonit. Për shembull, në Bosnjë-Hercegovinë, raporti i efikasitetit të transportit është vetëm 0.77, duke treguar se kthimi i vlerësuar ekonomik është më i ulët se kostoja e investimit në kushtet aktuale të financimit. Shqipëria ka një tregues pothuajse tre herë më të lartë.
Në Bullgari, ky raport është 0.82, ndërsa në Kroaci arrin në 1.02. Krahasuar me këto vende, raporti i Shqipërisë është rreth 2.7 herë më i lartë se në Bullgari, rreth 2.2 herë më i lartë se në Kroaci dhe rreth 2.9 herë më i lartë se në Bosnjë-Hercegovinë.
Madje edhe kur krahasohet me disa vende më të zhvilluara europiane, Shqipëria paraqet një potencial më të lartë në transport, pasi nis nga një nivel më i ulët infrastruktural dhe ka më shumë boshllëqe për të plotësuar.
