“`html
Serbia dhe Maqedonia e Veriut hyjnë në rrjetin e fabrikave AI, Shqipëria me Diellën mbetet jashtë
Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë me financime konkrete në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale (IA) dhe do të përfitojnë fonde direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin europian të superkompjuterave.
Shqipëria, pavarësisht se ka promovuar së fundmi një ministre të inteligjencës artificiale, të pagëzuar me emrin Diella, nuk ka marrë financime në këtë fazë të programeve, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian. Megjithëse Shqipëria është pjesë e rrjetit europian të superkompjuterave që nga qershori i vitit të kaluar, ajo nuk ka përfituar fonde për këtë iniciativë.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut përfshihen në dy projekte të “Ai Factory Antennas”, të cilat shërbejnë si porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të inteligjencës artificiale.
Projekti SAIFA i Serbisë
- Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna).
- Ky projekt synon të krijojë një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testin e inteligjencës artificiale, duke funksionuar si një hub kombëtar.
- Do të ofrojë akses institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë në burime kompjuterike, mjete IA, databaza dhe ekspertizë teknike.
- SAIFA do të jetë pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar testimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve IA në shkallë europiane.
- Projekti synon të mbështesë zhvillimin e IA në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe gjuha.
Projekti “Vezilka” i Maqedonisë së Veriut
- Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendra kombëtare e inteligjencës artificiale, me një vlerë totale rreth 6 milionë euro.
- Ky projekt është bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.
- Qendra synon të lidhë universitetet, shtetin dhe industrinë me rrjetin europian të inteligjencës artificiale.
- Do të funksionojë si nyje e lidhur me Pharos AI Factory në Greqi, duke u dhënë institucioneve publike, kompanive dhe start-up-eve akses në superkompjuterë dhe databaza europiane.
- Sipas autoriteteve maqedonase, projekti synon të integrojë vendin në rrjetin europian të qendrave të IA dhe të krijojë mundësi të reja për kërkim shkencor, inovacion dhe zhvillim të industrisë teknologjike.
Në të dyja rastet, projektet synojnë të krijojnë akses për start-up-et, SME-të dhe kërkimin shkencor në burime që zakonisht janë të disponueshme vetëm për kompanitë e mëdha teknologjike.
Iniciativa Europiane e AI Factories
Në nivel europian, këto projekte janë pjesë e iniciativës më të gjerë të AI Factories, një program i Bashkimit Europian për të ndërtuar infrastrukturë industriale të inteligjencës artificiale. Qëllimi i tyre është të bashkojnë superkompjuterë, qendra të të dhënave, universitete dhe industri për të krijuar ekosisteme të plota zhvillimi të IA dhe për të rritur konkurrueshmërinë globale të ekonomisë europiane.
Paralelisht, Bashkimi Europian ka krijuar edhe konceptin e AI Factory Antennas, që janë qendra kombëtare ose rajonale që shërbejnë si pika lidhëse me AI Factories. Këto struktura u japin vendeve që nuk kanë vetë superkompjuterë akses në kapacitetet europiane të IA, në databaza dhe në ekspertizë teknike, duke mundësuar zhvillimin e inovacionit dhe aplikimeve industriale.
Në nivel europian, antenat e AI Factory financohen në kuadër të programit Horizon Europe dhe EuroHPC. Kontributi i BE për një antenë mund të arrijë deri në rreth 5 milionë euro, në varësi të projektit dhe bashkëfinancimit kombëtar.
Investimet Europiane në IA
Programi i BE për AI Factories është pjesë e strategjisë më të gjerë për të krijuar një ekosistem europian të inteligjencës artificiale, duke u fokusuar te infrastruktura: superkompjuterë, qendra të të dhënave, fuqi llogaritëse dhe akses për startup-et dhe SME-të. Në periudhën 2021-2027, investimet totale në superkompjuterë dhe AI Factories pritet të arrijnë rreth 10 miliardë euro vetëm përmes EuroHPC dhe programeve të lidhura.
Në të njëjtën kohë, BE ka paralajmëruar plane shumë më të mëdha për IA në përgjithësi. Iniciativa InvestAI synon të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime në IA në nivel publik dhe privat, duke përfshirë një fond prej rreth 20 miliardë euro për “gigafactories” të IA – qendra shumë të mëdha trajnimi modelesh me qindra mijëra GPU secila.
Këto qendra janë projektuar si infrastrukturë strategjike – një lloj “energjetike e re” për ekonominë dixhitale, që i jep Europës mundësinë të konkurrojë me SHBA dhe Kinën në zhvillimin e modeleve të mëdha IA.
Në nivel më specifik, rrjeti i AI Factories dhe Antennas në Europë ka angazhuar mbi 2.6 miliardë euro vetëm për këtë fazë të parë të fabrikave dhe antenave IA, përfshirë rreth 55 milionë euro investim direkt të BE për Antennas, plus bashkëfinancim nga shtetet pjesëmarrëse. Qëllimi është që çdo vend të ketë akses në fuqi superkompjuterike edhe nëse nuk ka fizikisht një AI Factory.
Në qershor 2025, Shqipëria u bë zyrtarisht vendi i 36-të që i bashkohet Nismës së Përbashkët për Kompjuterikë me Performancë të Lartë (EuroHPC Joint Undertaking), rrjetit më të fuqishëm të superkompjuterëve në Europë.
“`
