Shqipëria mbrapa rajonit në përshtatje me tranzicionin e gjelbër

Përshtatja me klimën, Shqipëria përgatitjen më të dobët në rajon

Shqipëria renditet nën nivelin bazë dhe ndjeshëm pas vendeve të rajonit për sa i përket përshtatjes së sistemit arsimor dhe tregut të punës me tranzicionin e gjelbër. Fondacioni Europian për Trajnimet (ETF), i cili monitoron kapitalin njerëzor jashtë Bashkimit Europian, ka vlerësuar Shqipërinë negativisht në përgatitjen e forcës punëtore për ekonominë e gjelbër.

Tranzicioni drejt një ekonomie me karbon të ulët po sjell ndryshime në të gjitha ekonomitë fqinje të BE-së dhe Azisë Qendrore. Me ndryshimin e sistemeve energjetike, adaptimin e industrive dhe transformimin e thellë të vendeve të punës, ndryshimet klimatike kërkojnë një përgatitje të gjerë.

Raporti i ETF-së, me titull “Fuqizimi i Tranzicionit të Drejtë në Fqinjët e BE-së dhe Azinë Qendrore”, duke analizuar 25 vende, përfshirë Ballkanin Perëndimor, thekson se Shqipëria nuk është as në fazat fillestare të përgatitjes. Ky qëndrim rrezikon t’i lërë punëtorët dhe komunitetet pa përgatitje adekuate për sfidat e tranzicionit.

Shqipëria ka rezultate pozitive vetëm në dy kritere të para të raportit:

  • Njohja e përgjithshme e ndikimeve sociale dhe të punësimit nga ndryshimet klimatike.
  • Përmendja e nevojave të reja apo në ndryshim të fuqisë punëtore si pasojë e tranzicionit të gjelbër.

Edhe pse dokumentet strategjike shqiptare pranojnë në parim se tranzicioni klimatik ka pasoja sociale dhe kërkon adaptim të tregut të punës, mungon planifikimi dhe zbatimi praktik. Në pothuajse të gjitha kriteret e tjera, Shqipëria vlerësohet negativisht.

Analiza tregon se Shqipëria nuk i adreson nevojat për rikualifikim apo përmirësim aftësish të punëtorëve në sektorët e prekur nga tranzicioni i gjelbër. Gjithashtu, nuk trajton rolin e arsimit dhe zhvillimit të aftësive si mjet për parashikimin e nevojave të tregut të punës, dhe nuk identifikon grupe specifike që kërkojnë mbështetje të synuar, si të rinjtë, gratë, migrantët apo personat me aftësi të kufizuara.

Në dokumentet shqiptare, tranzicioni i gjelbër konceptohet kryesisht si një proces mjedisor dhe teknik, dhe jo si një transformim socio-ekonomik. Mungojnë gjithashtu buxhetet konkrete ose angazhimet financiare për investime në aftësi dhe trajnime për tranzicionin e gjelbër, si dhe role të qarta institucionale për ministritë apo agjencitë përgjegjëse.

ETF thekson se nuk ekziston një arkitekturë politike dhe institucionale që lidh tranzicionin klimatik me zhvillimin e kapitalit njerëzor. Krahasuar me vende si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia, të cilat shfaqin më shumë elementë pozitivë ose të përfshirë pjesërisht, Shqipëria del si një nga vendet më pak të përgatitura në aspektin social të tranzicionit të gjelbër.

Scroll to Top