Shqipëria në Interreg Europe: 2 milionë euro për zhvillimin rajonal
Shqipëria përfiton mbi 2 milionë euro përmes pjesëmarrjes në programin Interreg Europe, duke hapur qasje të reja për politikat rajonale dhe duke nxitur bashkëpunimin me dhjetëra rajone evropiane.
Ratifikimi i marrëveshjes së financimit forcon rolin e Shqipërisë në bashkëpunimin ndërrajonal evropian dhe krijon mundësi për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e zhvillimit rajonal.
Dinamika e Programit Interreg Europe:
- Programi Interreg Europe ka një vlerë totale prej 493.103.338 euro për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
- Kontributi maksimal i Bashkimit Evropian arrin në 394.482.670 euro.
- Bashkëfinancimi nga shtetet pjesëmarrëse është 98.620.668 euro.
- Norma e bashkëfinancimit nga Bashkimi Evropian në nivel programi nuk i kalon 80% të shpenzimeve të pranueshme.
Duke marrë parasysh ndarjen e kontributit të BE-së, numrin e shteteve pjesëmarrëse dhe kapacitetet zbatuese të përfituesve shqiptarë, për periudhën e zbatimit të marrëveshjes financiare, Shqipëria parashikohet të përfitojë rreth 2.000.000 euro.
Projektet e financuara nga ky program zbatohen në partneritet ndërmjet shteteve pjesëmarrëse. Ato kërkojnë përfshirjen e përbashkët të përfituesve nga vendet IPA dhe shtetet anëtare të BE-së, duke nxitur kështu bashkëpunimin ndërrajonal dhe shkëmbimin e përvojave në nivel evropian.
Objektivat kryesore të programit:
Objektivi kryesor i Interreg Europe është përmirësimi i zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, duke përfshirë investimet për krijimin e vendeve të punës dhe programet e rritjes.
Programi inkurajon shkëmbimin e përvojave, qasjet novatore dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale për identifikimin, shpërndarjen dhe transferimin e praktikave të mira midis aktorëve të politikave rajonale.
Fokusi mbi objektivin specifik të Interreg, “qeverisja më e mirë e bashkëpunimit”, lejon përfituesit të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në përputhje me nevojat e tyre rajonale, për sa kohë që këto fusha bëjnë pjesë në politikën e kohezionit të Bashkimit Evropian.
Fusha tematike përcaktohet nga objektivat e politikës dhe objektivat specifikë të politikës së kohezionit. Programi gjithashtu thekson nevojën për fokusimin e burimeve në fushat politike më të rëndësishme dhe urgjente për rajonet evropiane.
Përqendrimi i Buxhetit:
- 80% e buxhetit do të përqendrohet në fushat tematike të lidhura me: Evropën më inteligjente; Evropën më të gjelbër; Evropën më sociale (tregjet e punës, kujdesi shëndetësor, kultura dhe turizmi i qëndrueshëm).
- 20% e buxhetit të mbetur mund t’u akordohet fushave tematike të tjera, si: Evropën më të lidhur; Evropën më pranë qytetarëve; Evropën më sociale (arsimi, përfshirja socio-ekonomike dhe integrimi i shtetasve të vendeve të treta).
Përfituesit dhe Menaxhimi:
Programi Interreg Europe synon aktorët e politikës rajonale, duke përfshirë autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale, si dhe organet e tjera përgjegjëse për përcaktimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit rajonal.
Vendete pjesëmarrëse do të krijojnë një sistem të përbashkët menaxhimi për koordinimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të programit operacional.
Në Republikën e Shqipërisë, autoriteti kombëtar për këtë program është ngritur pranë Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Periudha e zbatimit të kësaj marrëveshjeje financiare fillon me hyrjen në fuqi ose zbatimin e përkohshëm të saj dhe përfundon 15 vjet pas kësaj date.
