Ligji i ri, Shqipëria “e provon sërish” me kripto-asetet
Shqipëria po i afrohet adoptimit të plotë të direktivës së BE-së për tregtimin e kripto-aseteve përmes hartimit të një ligji të ri. Ky projektligj sjell një zgjerim dhe detajim të instrumenteve, si dhe përfshin Bankën e Shqipërisë, krahas Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare (AMF), në rregullimin e tregjeve të kripto-aseteve.
Shqipëria pritet të ketë një ligj të ri për tregjet e kripto-aseteve, duke u përafruar plotësisht me direktivën europiane të vitit 2023 (MiCA). Objektivi i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe kërkesave për ofertën publike dhe pranimin për tregtim në platforma tregtimi të kripto-aseteve, si dhe rregullat për ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve.
Ky ligj do të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, duke detajuar dhe saktësuar më tej aspekte të ofertës, tregtimit dhe rregullimit të kripto-aseteve.
Ligji vendos kërkesa për:
- Transparencë dhe publikimin e informacionit për publikun lidhur me emetimin, ofertën publike dhe pranimin e kripto-aseteve për tregtim.
- Autorizimin dhe mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve, emetuesve të tokenave të aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, duke përfshirë kërkesat operacionale, organizative dhe të qeverisjes së brendshme.
- Mbrojtjen e investitorëve gjatë emetimit, ofertës publike dhe pranimit për tregtim të kripto-aseteve.
- Mbrojtjen e klientëve të ofruesve të shërbimeve të lidhura me kripto-asetet.
- Parandalimin e tregtimit të brendshëm, përhapjen e informacionit të brendshëm dhe manipulimit të tregut të kripto-aseteve, për të siguruar integritetin e tregjeve.
Ligji do të zbatohet për subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e emetimit, ofertës publike dhe pranimit për tregtim të kripto-aseteve ose ofrimit të shërbimeve të lidhura me to në Shqipëri.
Kategoritë e Kripto-aseteve
Ligji i ndan kripto-asetet në tri kategori kryesore për qëllime rregullimi:
- Tokene të lidhur me asetet: Kripto-asete që synojnë të ruajnë një vlerë të qëndrueshme duke u referuar pas një vlere ose të drejte tjetër, përfshirë monedha me kurs ligjor. Këto njihen si “stablecoins”.
- Tokene të parasë elektronike: Kripto-asete që përdoren si mjet këmbimi dhe synojnë të ruajnë një vlerë të qëndrueshme duke u referuar pas një monedhe me kurs ligjor.
- Kripto-asete të tjera: Të gjitha kripto-asetet që nuk bëjnë pjesë në dy kategoritë e para.
Përkufizimi ligjor i kripto-asetit është një përfaqësim digjital i një vlere ose të drejte, i cili mund të transferohet dhe ruhet elektronikisht përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë ose teknologjive të ngjashme.
Ndarja e Kompetencave AMF-Banka e Shqipërisë
Rregullimi dhe mbikëqyrja e tregut të kripto-aseteve do të ndahet mes Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare (AMF) dhe Bankës së Shqipërisë.
- AMF: Do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e ofertës publike të kripto-aseteve (të ndryshme nga tokenat e aseteve ose të parasë elektronike), si dhe për autorizimin dhe mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve. Këto shërbime përfshijnë operimin e platformave tregtimi, kujdestarinë, administrimin e kripto-aseteve për klientë, këmbimin e kripto-aseteve, ekzekutimin e urdhrave, lansimin në treg, marrjen dhe transmetimin e urdhrave, këshillimin, administrimin e portofilit dhe shërbimet e transfertave. AMF do të jetë gjithashtu përgjegjës për parandalimin e abuzimeve të tregut.
- Banka e Shqipërisë: Do të jetë përgjegjëse për autorizimin dhe mbikëqyrjen e emetuesve të tokenave të parasë elektronike dhe të emetuesve të tokenave të asetit.
Banka e Shqipërisë dhe AMF, nëpërmjet marrëveshjeve ndërinstitucionale, do të përcaktojnë më tej ndarjen e kompetencave, procedurat e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit, si dhe veprime të koordinuara në rast rreziku për stabilitetin financiar.
Emetimi i Kripto-aseteve
Emetuesit e kripto-aseteve (të ndryshme nga tokenat e aseteve ose të parasë elektronike) mund t’i ofrojnë ato publikut nëse janë persona juridikë me seli në Shqipëri ose në një vend të BE-së. Ata duhet të hartojnë dhe publikojnë një dokument informues dhe materiale promovuese, duke respektuar rregullat e projektligjit.
Përjashtime nga Rregullat e Emetimit:
- Ofertat ndaj jo më shumë se 150 personave fizikë ose juridikë, që veprojnë për llogari të tyre.
- Ofertat me vlerë totale deri në 1 milion euro (ose ekuivalentin në lekë) brenda 12 muajve.
- Ofertat ekskluzivisht për klientë profesionistë, të cilat nuk mund të transferohen te klientë joprofesionistë.
- Ofertat e kripto-aseteve të shpërndara falas (airdrop).
- Kripto-asetet e përfituara automatikisht nga procesi i nxjerrjes (mining).
- Kripto-asetet që shërbejnë si token utilitar, duke mundësuar qasje në mallra ose shërbime.
- Kripto-asetet që përdoren vetëm në këmbim të mallrave dhe shërbimeve në një rrjet të kufizuar tregtarësh.
Për të kërkuar pranimin e kripto-aseteve për tregtim në një platformë, emetuesit duhet të jenë persona juridikë me seli në Shqipëri ose BE, të kenë hartuar dhe publikuar një dokument informues, si dhe materiale promovuese, të cilat duhet të njoftohen pranë AMF.
Materialet promovuese duhet të jenë të drejta, të qarta, të mos jenë konfuzuese, të deklarojnë publikimin e dokumentit informues, të përfshijnë adresën e faqes së internetit, numrin e telefonit dhe adresën e email-it të ofertuesit. Gjithashtu, duhet të përmbajnë deklaratën se materiali promovues nuk është shqyrtuar ose miratuar nga asnjë Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare dhe se ofertuesi është përgjegjës për përmbajtjen.
Klientët joprofesionistë, që blejnë kripto-asete (të ndryshme nga tokenat e aseteve ose të parasë elektronike), kanë të drejtën e tërheqjes nga investimi brenda 14 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes, pa asnjë tarifë apo kosto shtesë dhe pa dhënë arsye. Pagesat e kryera duhet të rimbursohen jo më vonë se 14 ditë nga data e informimit për vendimin e tërheqjes.
E drejta e tërheqjes nuk zbatohet nëse kripto-asetet janë pranuar për tregtim para blerjes nga klienti joprofesionist, ose pas përfundimit të periudhës së ofertës publike. Në rast anulimi të një oferte publike, fondet e mbledhura duhet t’u kthehen blerësve jo më vonë se 25 ditë pas datës së anulimit.
Tokeni i Lidhura me Asetin (Stablecoins)
Subjekti që ofron tokena të lidhura me asetet publikisht ose kërkon pranimin për tregtim duhet të jetë person juridik i themeluar në Shqipëri, i autorizuar nga Banka e Shqipërisë, ose një institucion krediti i licencuar. Oferta mund të bëhet edhe nga subjekte të tjera, pas marrjes së miratimit me shkrim nga emetuesi i tokenit të asetit.
Përjashtime për Tokenat e Aseteve:
- Kur vlera mesatare e tokenave të emetuara nga një emetues nuk kalon 5 milionë euro (ose ekuivalentin) brenda 12 muajve.
- Kur oferta publike i drejtohet vetëm investitorëve të kualifikuar dhe tokeni mbahet vetëm nga këta investitorë.
Në këto raste, emetuesit duhet të hartojnë dhe njoftojnë një dokument informues dhe materiale promovuese pranë AMF.
Subjektet me seli jashtë Shqipërisë, të autorizuara si emetues të tokenave të aseteve nën rregulloren (BE) 2023/1114, i nënshtrohen procedurave të njohjes nga Banka e Shqipërisë.
Tokenat e aseteve të emetuara nga një institucion krediti i licencuar kërkojnë hartimin e një dokumenti informues për miratim nga Banka e Shqipërisë dhe njoftimin e saj 90 ditë pune para emetimit.
Dokumenti informues për tokenin e asetit duhet të përmbajë informacion mbi emetuesin, tokenin, ofertën publike, të drejtat dhe detyrimet, teknologjinë bazë, rreziqet, rezervën e aseteve, etj. Ai nuk duhet të përmbajë deklarata mbi vlerën e ardhshme dhe duhet të paralajmërojë për humbjen e mundshme të vlerës, mungesën e likuiditetit, dhe mosgarancimin nga skemat e kompensimit ose garancisë së depozitave.
Emetuesit e tokenave të aseteve duhet të sigurojnë fonde vetjake jo më pak se 350 mijë euro, 2% e vlerës mesatare të rezervës së aseteve, ose një çerek të kostove fikse vjetore.
Tokeni i Parasë Elektronike
Subjektet që ofrojnë tokena të parasë elektronike publikisht ose kërkojnë pranim për tregtim duhet të jenë emetues të ligjshëm, të licencuar si bankë, institucion krediti ose institucion i parasë elektronike. Ata duhet të kenë njoftuar dhe publikuar një dokument informues pranë Bankës së Shqipërisë.
Dokumenti informues duhet të përmbajë informacion mbi tokenin, emetuesin, ofertën, të drejtat dhe detyrimet, teknologjinë, rreziqet, si dhe identitetin e subjekteve të treta që ofrojnë tokenin. Dokumenti duhet të jetë i përmbledhur, kuptueshëm dhe të ketë në faqen e parë deklaratën se nuk është miratuar nga Banka e Shqipërisë dhe emetuesi është përgjegjës për përmbajtjen.
Gjithashtu, dokumenti informues duhet të përmbajë paralajmërimin se tokeni nuk mbulohet nga skemat e kompensimit të investitorëve ose garancisë së depozitave.
Emetuesit e tokenave të parasë elektronike njoftojnë dokumentin informues pranë Bankës së Shqipërisë të paktën 20 ditë pune para publikimit. Banka e Shqipërisë nuk kërkon miratim paraprak. Tokenat e parasë elektronike trajtohen si para elektronike sipas legjislacionit në fuqi.
Emetuesit njoftojnë Bankën e Shqipërisë të paktën 40 ditë pune para datës së synuar të ofertës publike ose kërkesës për pranim në tregtim.
Subjektet me seli jashtë Shqipërisë, të licencuar si bankë, institucion krediti ose institucion i parasë elektronike në BE, i nënshtrohen procedurave të njohjes nga Banka e Shqipërisë.
Emetuesit duhet t’i emetojnë tokenat e parasë elektronike në vlerë të barabartë me fondet e mbledhura. Me kërkesë të zotëruesit, emetuesi duhet ta shlyejë tokenin, duke paguar në fonde të tjera, në vlerë të barabartë me vlerën monetare të tokenit.
Emetuesit e tokenave të parasë elektronike nuk mund të japin interes në lidhje me këto tokena. Të gjitha fondet e marra duhet të ruhen sipas kushteve të përcaktuara:
- Të paktën 30% depozitohen në llogari të veçanta në institucione krediti në Shqipëri.
- Fondet e mbetura investohen në asete të sigurta, me rrezik të ulët, shumë likuide dhe të denominuara në të njëjtën valutë zyrtare si tokeni.
Ofrimi i Shërbimeve të Lidhur me Kripto-asetet
Subjektet që kërkojnë të ofrojnë shërbime të lidhura me kripto-asetet në Shqipëri duhet të autorizohen si ofrues të shërbimeve të kripto-aseteve nga AMF. Këta ofrues mund të jenë institucione krediti, depozitarë qendrorë të titujve, shoqëri komisionere, operatorë tregu, institucione të parasë elektronike, shoqëri administruese të SIKT ose të fondeve të investimeve alternative.
Ofruesit e autorizuar duhet të kenë seli ose degë të regjistruar në Shqipëri, të ofrojnë të paktën një pjesë të shërbimeve të tyre, dhe të kenë një drejtor rezident në Shqipëri.
Subjektet e paautorizuara nuk mund të përdorin emër tregtar ose materiale promovuese që sugjerojnë se janë ofrues të shërbimeve të kripto-aseteve.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve të autorizuar në shtetet anëtare të BE-së lejohen të operojnë në Shqipëri pas procesit të njohjes në AMF.
Institucionet krediti duhet të përcjellin informacionin e nevojshëm te AMF të paktën 40 ditë pune para ofrimit të shërbimeve për kripto-asete.
Depozitarët qendrorë të titujve të autorizuar mund të ofrojnë vetëm kujdestari dhe administrim të kripto-aseteve, duke njoftuar AMF-në 40 ditë pune më parë.
Operimi i platformave tregtimi për kripto-asete, këmbimi i kripto-aseteve, hedhja në treg, marrja dhe transmetimi i urdhrave, si dhe këshillimi, konsiderohen të barasvlershme me operacione të ngjashme në tregjet e kapitalit.
Institucionet e parasë elektronike të licencuara nga Banka e Shqipërisë mund të ofrojnë kujdestari, administrim dhe shërbime transferimi për tokenat e parasë elektronike që emetojnë.
Shoqëritë administruese të SIKT ose të fondeve të investimeve alternative mund të ofrojnë shërbime të barasvlershme me administrimin e portofolave dhe shërbime joparësore.
Kërkesa Bazë për Ofruesit e Shërbimeve të Kripto-aseteve:
- Veprim me ndershmëri, integritet dhe profesionalizëm, në interesin më të mirë të klientëve.
- Ofruar klientëve informacione të drejta, të qarta dhe jo keqorientuese.
- Paralajmëruar shprehimisht klientët për rreziqet e transaksioneve në kripto-asete.
- Publikuar dokumentet informuese të kripto-aseteve në faqet e tyre të internetit.
- Publikuar informacionin mbi çmimet, kostot dhe tarifat në një vend të dukshëm.
- Publikuar informacion mbi ndikimet kryesore negative në klimë dhe mjedis të shkaktuara nga mekanizmi i konsensusit i kripto-asetit.
Për kërkesat prudenciale, ofruesit duhet të sigurojnë një nivel minimal të kapitalit, të përcaktuar në anekset e ligjit, ose sa një e katërta e shpenzimeve fikse vjetore. Ky nivel kapitali mund të plotësohet me fonde vetjake ose me një policë sigurimi.
