Shqipëria “Narko-Autoritare”: CDI kritikon zgjedhjet dhe sundimin e ligjit

CDI miraton rezolutë kritike për Shqipërinë: “Shtet narko-autoritar, zgjedhjet nuk ishin të lira”

Në Asamblenë e Bashkimit Ndërkombëtar të Qendrës së Djathtë (CDI), zhvilluar në Sao Paulo, u miratua një rezolutë e re që kritikon ashpër gjendjen politike në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, Sali Berisha u zgjodh Zëvendëspresident i organizatës.

Dokumenti shpreh shqetësime të forta për regresin demokratik, përqendrimin e pushtetit, shkrirjen e partisë me shtetin dhe ndikimin e krimit të organizuar në institucionet publike. Rezoluta paralajmëron se Shqipëria po i afrohet një modeli “narko-autoritar” që rrezikon stabilitetin rajonal dhe procesin e integrimit në BE.

Në kuadër të kësaj situate, rezoluta i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë të kushtëzohen me rezultate konkrete në fushën e sundimit të ligjit. Gjithashtu, shprehet mbështetje për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të garantonte zgjedhje të besueshme.

DRAFT REZOLUTË Mbi Situatën në Shqipëri: Integriteti Zgjedhor, Përqendrimi i Pushtetit dhe Ngjitja e Një Narko-Shteti

IDC–CDI:

  • Duke marrë parasysh Raportin Final të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit 2025 në Shqipëri;
  • Duke marrë parasysh Indeksin e Sundimit të Ligjit 2025 të World Justice Project, Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA për Klimën e Biznesit 2025 në Shqipëri;
  • Duke marrë parasysh Kriteret e Kopenhagës, Dokumentin e Kopenhagës të OSBE-së (1990), Kodin e Komisionit të Venecias për Praktikat e Mira në Çështjet Zgjedhore dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore;
  • Duke marrë parasysh rezolutat e mëparshme të miratuara nga EPP, CDI dhe IDU lidhur me regresin demokratik dhe korrupsionin në Shqipëri;
  • Duke shprehur shqetësimin se Shqipëria ka pësuar një regres të thellë demokratik, shkrirjen e partisë me shtetin, drejtësinë selektive dhe depërtimin sistemik të krimit të organizuar në strukturat politike dhe ekonomike, dhe duke theksuar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë në bazë merite, e kushtëzuar me progres të matshëm në demokraci, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

1. Integriteti Zgjedhor

Konstatohet me shqetësim të thellë gjetjet e Raportit Final të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon shkrirjen sistemike të pushtetit shtetëror me atë partiak, keqpërdorimin masiv të burimeve publike dhe klimën e intimidimit, si dhe drejtësinë selektive që pengoi konkurrencën e barabartë. Vërehet se ODIHR dokumentoi blerje votash, ndërhyrje të krimit në zgjedhje dhe rrjetet e patronazhit që shkëmbenin vendet e punës, përfitimet dhe lejet për vota. Forcat e rendit vepruan në mënyrë selektive, duke forcuar pandëshkueshmërinë.

Rikujtohet se ODIHR dokumentoi mbi 4,500 aktivitete të financuara nga shteti, të shndërruara në aktivitete elektorale, ndërsa KQZ sanksionoi vetëm 18 prej tyre, duke ekspozuar dështim të plotë të rregullatorit. Partia Socialiste përdori zyrat publike, infrastrukturën dhe komunikimin shtetëror për përfitime zgjedhore, në shkelje të Kodit Zgjedhor, kritereve të Kopenhagës dhe angazhimeve ndaj OSBE-së.

Dënohen ndjekjet penale dhe arrestimet me motiv politik të drejtuesve të opozitës në vitin elektoral, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, deputetin Ervin Salianji dhe Fatmir Mediun. Këto veprime, sipas ODIHR, kontribuuan në një klimë përplasjesh, mosbesimi dhe drejtësie selektive, duke penguar pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë të opozitës në procesin politik.

Shprehet shqetësim se ditën e votimit janë regjistruar raste intimidimi, aktivistë të paautorizuar në qendra votimi dhe shkelje të fshehtësisë së votës, ndërsa mbi 90% e mediave ishin nën kontroll qeveritar. ODIHR konkludon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, të dominuara nga kontrolli parti-shtet, shantazhi dhe ndikimi i krimit, në shkelje të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së, standardeve të Komisionit të Venecias dhe Nenit 25 të PNDCP (ICCPR).

Shprehet keqardhje që, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, Shqipëria ka dështuar të zbatojë rekomandimet kryesore të ODIHR-it që prej vitit 2013, duke vijuar klimën e pandëshkueshmërisë për krimet zgjedhore. Po ashtu, vërehet se qeveria shqiptare nuk ka adresuar asnjë prej thirrjeve ndërkombëtare të shprehura në pesë rezolutat e mëparshme të CDI, EPP dhe IDU.

2. Përqendrimi i Pushtetit dhe Eleminimi i Kontrollit dhe Balancave

Vërehet se Kryeministri dhe Partia Socialiste ushtrojnë kontroll pothuajse total mbi institucionet e shtetit, përfshirë shërbimin civil, gjyqësorin, prokurorinë, institucionet rregullatore dhe mediat publike, duke eliminuar mekanizmat efektivë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.

Dënohet pengimi sistematik i mbikëqyrjes kushtetuese dhe parlamentare, përfshirë rrëzimin e mocioneve të opozitës, interpelancave urgjente dhe bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, veçanërisht atyre që hetojnë korrupsionin e gjerë ku përfshihet Kryeministri, apo farsën zgjedhore.

Dënohet shtypja e mbikëqyrjes parlamentare, bllokimi i komisioneve hetimore dhe moszbatimi nga ana e ekzekutivit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Vërehet se Indeksi World Justice Project 2025 e rendit Shqipërinë në vendin e 87-të në rang global, me rezultate veçanërisht të ulëta në «kufizimin e pushtetit qeveritar» dhe «luftën ndaj korrupsionit», duke konfirmuar erozionin e pavarësisë së drejtësisë dhe llogaridhënies.

Shprehet keqardhje që Reforma në Drejtësi është shndërruar në një mekanizëm kontrolli politik dhe ndjekjesh selektive, duke paralizuar gjyqësorin dhe minuar besimin publik në sundimin e ligjit. Vërehet se mbi 200,000 çështje të pashqyrtuara dhe vonesat e gjata në gjyqësor (deri në 1,230 ditë për zbardhjen e vendimeve) përbëjnë mohimin e drejtësisë.

3. Shqipëria si Narko-Shtet dhe Kërcënim për Sigurinë Rajonale

Shprehet shqetësimi i thellë se Shqipëria është kthyer në një nyje kryesore për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, duke shërbyer si korridor logjistik për kokainën nga Amerika Latine drejt porteve evropiane.

Vërehet me alarm infiltrimin e krimit në institucionet e shtetit, përfshirjen e trafikantëve të njohur dhe rrjeteve kriminale në kontrata publike, zhvillim turistik dhe procese zgjedhore. Rikujtohen provat për takime midis zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe individëve të lidhur me Kartelin Sinaloa dhe grupet mafioze shqiptare.

Vërehet se Eurostat dhe studime të pavarura konfirmojnë pastrim masiv parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, në rreth 4 miliardë euro investime të pajustifikuara në sistemin formal bankar. I referohet Raportit të Klimës së Biznesit 2025 të SHBA, i cili identifikon korrupsionin endemik, flukset e paligjshme të kapitalit, përdorimin e PPP-ve dhe prokurimit publik për patronazhim politik.

Paralajmërohet se konsolidimi i një narko-ekonomie paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, cënon besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe kërcënon sigurinë evropiane.

III. Thirrje dhe Rekomandime

Bëhet thirrje që Bashkimi Evropian, Shtetet Anëtare dhe partnerët demokratikë të sigurojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të mbetet rreptësisht i bazuar në meritë, i lidhur me progres të verifikueshëm në sundimin e ligjit, integritetin zgjedhor dhe luftën kundër korrupsionit.

Bëhet thirrje për krijimin e një mekanizmi të pavarur monitorimi për sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe zgjedhjet në Shqipëri.

Kërkohet vendosja e sanksioneve të përcaktuara nga BE dhe SHBA ndaj individëve dhe entiteteve të përfshira në trafik droge, krim të organizuar dhe grupe terroriste, pastrim parash dhe manipulim zgjedhor.

Bëhet thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të:

  • Luftuar pastrimin e parave dhe çmontuar rrjetet kriminale;
  • Mbështetur një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe depolitizimin e administratës publike;
  • Forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe mediave;
  • Rikthyer funksionimin e parlamentit dhe mbrojtjen e opozitës;
  • Siguruar zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Mbështetet krijimi i një qeverie teknike që të monitorojë zgjedhjet e ardhshme dhe të garantojë besueshmërinë e tyre.

Shprehet solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe forcat demokratike që punojnë për rikthimin e pluralizmit, llogaridhënies dhe vlerave evropiane.

IV. Konkluzione

Rikonfirmohet se konsolidimi i një regjimi narko-autoritar në Shqipëri përbën jo vetëm një tragjedi të brendshme, por edhe një sfidë strategjike për sigurinë demokratike të Evropës. Theksohet se, pa veprim të menjëhershëm përmirësues, Shqipëria rrezikon të kthehet në një strehë të përhershme për krimin e organizuar, kapitalin e paligjshëm dhe qeverisjen autoritare brenda kufijve të Evropës.

Scroll to Top