Kualifikimi në Botëror: Shqipëria “sfidon” ekipet e forta, por Kosova na parakalon në vlerë
Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në fazën “Play Off” të Kupës së Botës, ku do të provojë fatin në sfidën kundër Polonisë. Nëse “kuqezinjtë” fitojnë takimin e parë në Varshavë, ata do të ndeshen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Natyrisht, rrugëtimi për Shqipërinë pritet të jetë i vështirë, duke pasur parasysh kundërshtarët e fortë. Megjithatë, shorti mund të kishte qenë edhe më i ashpër, pasi skuadra jonë ka shmangur përballje me ekipe si Turqia apo Italia, të cilat mund të kishin ndodhur në një finale të mundshme.
Edhe pse kundërshtarët e Shqipërisë kanë emra dhe vlera më të larta, “kuqezinjtë” kanë treguar shpesh se dinë të luajnë mirë dhe bindshëm ndaj skuadrave me reputacion. Këtë duhet ta dëshmojnë sërish në ndeshjen e 26 marsit.
VLERAT
Shqipëria ka pasur pak ndryshime në listën e lojtarëve gjatë kualifikueseve të Botërorit. Sipas “Transfermarkt”, vlera e ekipit tonë shkon në 88 milionë euro, duke u renditur ndër vlerat më të ulëta mes 16 skuadrave të kualifikuara për “Play Off”. Armando Broja është futbollisti më i vlerësuar nga Silvinjo në këtë fazë, me një vlerë tregu prej 14 milionë eurosh. Ai ndiqet nga Kristjan Asllani me 13 milionë euro, Mirlind Daku me 10 milionë euro, Odysseas Uzuni me 7 milionë euro, si dhe Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, të cilët vlerësohen nga 6 milionë euro.
RIVALËT
Në ndeshjen e parë, Shqipëria do të përballet me Poloninë, një kundërshtar që e njeh mirë. Përveç eliminatoreve të Botërorit të kaluar, dy ekipet ishin edhe në grupin e kualifikueseve të Europianit, ku Shqipëria arriti një fitore të rëndësishme. Vlera e Polonisë sipas “Transfermarkt” është 166 milionë euro, pothuajse dyfishi i vlerës së Shqipërisë. Lojtari më i shtrenjtë i Polonisë është mbrojtësi i Aston Vilës, Matty Cash, me vlerë 25 milionë euro, i cili ndahet me qendërmbrojtësin e Portos, Kivior. Në “Top 5” të Polonisë, renditen gjithashtu Zalewski me 17 milionë euro, si dhe Szymanski dhe Grabara me nga 14 milionë euro.
Ukraina dhe Suedia kanë vlera të konsiderueshme, veçanërisht Suedia. Ukraina vlerësohet 274 milionë euro, ndërsa Suedia është ndër skuadrat më të shtrenjta, me vlerë 517 milionë euro.
KOSOVA
Dardanët aktualisht kanë një vlerë më të lartë se kuqezinjtë. Skuadra e Kosovës kap vlerën e 131 milionë eurove, duke qenë vetëm 8 milionë euro më pak se rivalja e saj në gjysmëfinale, Sllovakia. Lojtari më i shtrenjtë i Kosovës është sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, me vlerë 25 milionë euro. Ai ndiqet nga Fisnik Asllani me 18 milionë euro. Pesëshja më e shtrenjtë plotësohet nga Amir Rrahmani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, të cilët kushtojnë nga 12 milionë euro. Dy lojtarët e fundit iu bashkuan rishtazi Kombëtares së Kosovës pasi vendosën të largoheshin nga Zvicra.
SKUADRAT MË TË LIRA
Shqipëria renditet e katërta si skuadra me vlerën më të ulët në “Play Off”. Vendin e parë e mban Maqedonia e Veriut, e cila u kualifikua falë Ligës së Kombeve, duke marrë rezultate befasuese në kualifikuese, si barazimi me Belgjikën dhe disfata nga Uellsi. Vlera e Maqedonisë së Veriut arrin në 38 milionë euro, e ndjekur nga Irlanda e Veriut me 82 milionë euro dhe Rumania me 86 milionë euro.
TOP 5
Italia është padyshim skuadra me vlerën më të lartë në “Transfermarkt” mes të gjitha skuadrave të kualifikuara në “Play Off”, duke arritur 846 milionë euro. Në vendin e dytë është Suedia me 517 milionë euro, e ndjekur nga Danimarka me 399 milionë euro dhe Turqia me 337 milionë euro. Ukrainën e gjejmë në vendin e pestë, me një vlerë prej 274 milionë euro.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL
