Shqipëria në Slush Helsinki: Energjia e Inovacionit Global

Shqipëria në Slush Helsinki: Zemra Botërore e Inovacionit dhe Startup-eve

Çdo vit, në fund të nëntorit, Helsinki kthehet në qendrën e inovacionit global me organizimin e Slush, një nga konferencat më të rëndësishme në botë për startup-e, investitorë dhe profesionistë të teknologjisë.

Këtë vit, Shqipëria merr pjesë në Slush me sloganin “Albania Future Now”, duke prezantuar energjinë, talentin dhe potencialin e ekosistemit të saj të inovacionit.

Slush ofron një mundësi të rrallë për startup-et:

  • Të prezantojnë idetë e tyre para investitorëve ndërkombëtarë dhe fondeve që mund të nxisin e mbështesin zhvillimin e tyre.
  • Të krijojnë lidhje me mentorë, partnerë teknologjikë dhe kompani të mëdha.
  • Të marrin përvoja dhe frymëzim nga historitë e suksesit të themeluesve që kanë ndërtuar kompani të mëdha duke u nisur nga ide fillimisht të vogla.

Në këtë edicion, pritet të jenë të pranishëm 200 folës dhe vendimmarrës, 1700 partnerë dhe ndërtues të ekosistemit, 3500 investitorë dhe 6000 startup-e. Mes tyre do të jenë edhe 8 startup-e shqiptare, të mbështetura nga EU4Innovation: DollAPP, Katalogim, LekoTech, PayStorm AI, Great Shift, TeutAI, MedApp dhe Avenirs.

Një nga shtyllat më të forta të progresit të inovacionit në Shqipëri është kapitali njerëzor – njerëzit me ide të guximshme, vizion dhe pasion për të krijuar ndryshim. Shqipëria po dëshmon se ka një bazë të gjerë talentesh, profesionistësh dhe sipërmarrësish që mendojnë ndryshe, nuk kanë frikë të eksperimentojnë dhe të ndërmarrin nisma të reja. Të mirëarsimuar, të lidhur me botën përmes dijes, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ata po kthejnë kreativitetin e tyre në motor zhvillimi për Shqipërinë.

Ky potencial njerëzor po tërheq vëmendjen e investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke e bërë Shqipërinë një vend gjithnjë e më interesant në hartën rajonale të inovacionit. Rrugëtimi i këtyre startup-eve është dëshmi e qartë e progresit, jo vetëm individual, por edhe të të gjithë ekosistemit në Shqipëri.

Ajo çka filloi më pak se një dekadë më parë, me përpjekje sporadike të disa individëve dhe donatorëve, sot në Shqipëri ka marrë formën e një ekosistemi të mirëfilltë. Startup-et me ide të guximshme gjejnë mbështetje në programe të ndryshme akselerimi dhe marrin mentorimin e duhur për t’u zgjeruar nga një fazë zhvillimi në tjetrën. Programet e akselerimit tashmë organizohen nga aktorë lokalë, të cilët, për shkak të vëmendjes ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë, bashkëpunojnë me emra të mëdhenj ndërkombëtarë (p.sh., Growpreneur me Deep Ecosystem; Piramida/Innovation Hub me Plug and Play).

Produktet, shërbimet dhe kompanitë e tyre marrin pjesë aktivisht në evente të ndryshme, duke bërë “pitching” për t’u prezantuar tek investitorë të ndryshëm. I tillë ka qenë rasti me Tirana Slush’d, modeli finlandez që erdhi në Tiranë për të dytin vit radhazi. Fituesi i këtij edicioni përftoi një investim deri në 300,000 €, mundësuar nga Fil Rouge Capital, një nga fondet më të njohura të kapitalit në rajon.

Tani, këto startup-e janë gati të përfaqësojnë në Slush Helsinki jo vetëm kompanitë e tyre, por edhe denjësisht ekosistemin shqiptar. Ato tregojnë qartë se Shqipëria ka talente, ide dhe energji për të qenë pjesë e hartës globale të inovacionit, dhe se ekosistemi shqiptar i startup-eve po rritet e konsolidohet me hapa të sigurt, drejt një të ardhmeje më inovative dhe të lidhur me tregjet globale.

Scroll to Top